Arbëri

KOSTT-i thotë se është siguruar rryma, sot nuk janë aplikuar reduktimet

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT ka njoftuar se me kërkesë të tij, gjatë ditës së enjte nuk janë aplikuar reduktimet e energjisë elektrike në Kosovë.

Sipas një njoftimi të KOSTT-it, kjo është rezultat i sigurimit të energjisë elektrike të nevojshme për të mbuluar konsumin për ditën e enjte, ndonëse nuk janë dhënë detaje se si është bërë sigurimi.

“Njoftohet opinioni që sot me datë 30 dhjetor 2021 me kërkesë të KOSTT nuk janë aplikuar kufizime në konsumin e energjisë elektrike. Kjo është si rezultat i sigurimit të energjisë elektrike të nevojshme për të mbuluar konsumin për ditën e sotme nga operatorët përgjegjës në treg, andaj për qëllime të balancimit të sistemit KOSTT nuk ka dhënë instruksione për redukime. Në vijim të mobilizimit të të gjithë akterëve relevant për tejkalimin e situatës, kërkohet nga të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale, duke kursyer aty ku është e mundur, që të shmanget zbatimi i masave të parapara me Kodin e Rrjetit/Kodi Operativ për evituar paraqitjen e jobalanceve te theksuara në mes të konsumit të energjisë elektrike në vend dhe energjisë së siguruar nga operatorët përgjegjës në treg”, thuhet në njoftim.

Qytetarët e Kosovës që disa ditë po përballen me reduktime të energjisë elektrike për shkak të krizës energjetike që ka goditur edhe Kosovën, si pasojë e rritjes së çmimit të këtij produkti në bursat ndërkombëtare e po ashtu rritjes së konsumit.