Arbëri

Xhelal Sveçla zëvendëson Shpend Ahmetin në legjislaturën e re

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar gjatë ditës së sotme rezultatin e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit me ç’rast, koalicioni PAN ka fituar 39 mandate, Vetëvendosje 32 ndërsa koalicioni LAA 29.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili garoi në këto zgjedhje në listën e Vetëvendosjes, ndonëse ka arritur të mbledh mbi 76 mijë vota, ka vendosur të heq dorë nga posti i deputetit dhe të vazhdojë në postin e kreut të Komunës, gjë të cilën e kishte deklaruar qysh nga fillimi i fushatës, raporton Koha.net.

Këtij vendimi të Ahmetit më së shumti i është gëzuar Xhelal Sveçla, i cili në përbërjen e plotë të listës së VV-së nuk kishte arritur të mblidhte vota të mjaftueshme për t’u bërë deputet. Ndërkaq, tani ai, edhe pse ka mbledhur vetëm 6,747 vota, do ta zë vendin e Ahmetit në legjislaturën e ardhshme.

Ahmeti, përmes një postimi në Facebook, i ka falënderuar të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë votuar Lëvizjen Vetëvendosje.

“Kur kam hyrë në listë pata thënë se duhet angazhuar të gjitha resurset për ta bërë ndryshimin, duke kandiduar edhe nga posti i Kryetarit të Kryeqytetit. Pata thënë se në qoftë se prania ime në listë shton vetëm një votë për Lëvizjen e për ndryshimin, ja vlen. Edhe ja vlejti me qenë pjesë e një liste të ndryshimit. 200 mijë votuan për Lëvizjen. Mbështetja ishte e madhe edhe për mua si kandidat, duke më vendosur në pesëshen e pesë njerëzve me të votuar në Kosovë me 76 mijë vota, prandaj ju falënderoj me zemër”, ka shkruar Ahmeti.

Por, ai tha se Kushtetuta e Republikës së Kosovës thotë se një person nuk mund të mbajë dy poste të zgjedhura në të njëjtën kohë.

“Unë dje kam informuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se unë do të qëndroj si Kryetar i Prishtinës dhe se heq dorë nga mandati i deputetit. 32 deputetët e Lëvizjes do ta mbrojnë me dinjitet besimin e dhënë. Ndërsa ne vazhdojmë me punën në komunë duke ndikuar edhe në ndryshimin në nivelin qendror”, ka theksuar kreu i Komunës, Shpend Ahmeti.

Kujtojmë se Sveçla kishte mbajtur postin e Kryeinspektorit të Komunës së Prishtinës, por kishte dhënë dorëheqje pas tragjedisë që kishte ndodhur në një pus të Komunës së Prishtinës ku kishin humbur jetën dy fëmijë.