Arbëri

Profesori amerikan: Kosova duhet të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur

Profesori në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben Meir, njëherësh edhe ekspert për çështjet e Ballkanit Perëndimor, thotë se iniciativa “Ballkani i Hapur” do të ishte e mirë vetëm nëse gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor do të merrnin pjesë në të.

Ben-Meir vlerëson se Kosova do të duhej të ishte e përfshirë në këtë marrëveshje, por të njihej si shtet i pavarur nga Serbia.

Sipas tij, në rrethanat të cilat janë krijuar tani, Kosova po e lejon Serbinë që të jetë lojtari dominues.

“’Marrëveshja e Ballkanit të Hapur’ do të ishte mirë nëse të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor do të merrnin pjesë në të dhe Kosova do të njihej si shtet i pavarur nga Serbia. Siç qëndron tani, ajo lejon Serbinë të jetë lojtari dominues”, ka shkruar Ben-Meir në Twitter.

Së fundmi, liderët e tri vendeve të cilat e kanë iniciuar këtë nismë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai tashmë i dorëhequr i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar në Tiranë më 21 dhe 22 dhjetor.

Gjatë takimit në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ripërsëriti thirrjen për vendet tjera që t’i bashkohen nismës, ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë konferencës për media tha se “Beogradi dhe Prishtina kanë pikëpamje të ndryshme, por kjo nuk është arsye që ne të mos flasim dhe kjo nuk është arsye që dikush mos të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur”.