Arbëri

Kritikohet punësimi i vetëm 100 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta

Me buxhetin e vitit 2022, Qeveria e Kosovës ka paraparë që t’i punësojë 100 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta. Por, sipas prindërve e përfaqësuesve të shoqatave të socializimit të këtyre kategorive, numri i paraparë i asistentëve nuk i mbulon as për së afërmi nevojat e tyre. Ata kërkojnë që kësaj çështjeje t’i jepet më shumë prioritet e seriozitet nga ekzekutivit

Prishtinë, 21 dhjetor - Mirushe Sadriut, nënë e një fëmije autik, disa herë i është dashur që ta vizitojë Komunën e Vushtrrisë për t’ia siguruar një asistente djalit të saj 6-vjeçar që po vijon parashkollorin.

Që nga shtatori i këtij viti ai e ka nisur mësimin në klasë, nën kujdesin e asistentes. Ajo rrëfen se është refuzuar disa herë derisa ka marrë mbështetjen e Komunës për asistenten e djalit, fat të cilin thotë se nuk e kanë të gjithë prindërit.

2022-n, Qeveria Kurti e ka shpallur vit të personave me nevoja të veçanta, por për t’iu dhënë ndihmë atyre ka ndarë buxhet për vetëm 100 asistentë për vitin që vjen. Për prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta, numri prej 100 asistentëve nuk është i mjaftueshëm, meqë nuk i mbulon as për së afërmi nevojat e tyre.

Përveç numrit të paktë, Sadriu ka drojë që së shpejti djali i saj mund të mbesë pa asistente në klasë, meqë, sipas saj, në fund të dhjetorit asaj do t’i skadojë kontrata. Derisa bën thirrje që ajo t’i vazhdohet, shton se mësimi me asistencë përveç anës profesionale do të ndihmojë edhe në anën emocionale.

“Nëse qëndron një prind aty në klasë është pak mërzi, është vështirë për atë prind me i pa fëmijët e tjerë. Është pak mërzi se nuk mundesh ashtu aq lehtë me u ballafaqu kur i sheh fëmijët e tjerë që, për shembull, e kuptojnë detyrën e fëmija yt jo. Është shumë më vështirë”, ka thënë Sadriu.

Aktualisht janë të punësuar 91 asistentë, derisa numri i fëmijëve me nevoja të veçanta në klasa të rregullta dhe në qendra burimore është 4323. Në buxhetin e miratuar për vitin 2022, Qeveria ka paraparë të punësojë 100 asistentë, por edhe nga vetë Ministria e Arsimit është vlerësuar se numri i paraparë për punësimin e asistentëve më 2022 është i vogël.

“Në vitin 2022 janë ndarë mjetet financiare për punësimin 100 asistentëve dhe ky numër natyrisht nuk i plotëson të gjitha nevojat që janë në sistem, por MASHTI planifikon që trendi i punësimeve të tilla të vazhdojë edhe 3 vjetët e ardhshëm me nga 100 asistent, gjë që do të përmirësojë shumë mekanizmin e përkrahjes për nxënësit me nevoja të veçanta”, është thënë nga Ministria e Arsimit.

Njësoj vlerësojnë edhe nga qendrat për socializimin e personave me nevoja të veçanta, të cilat apelojnë për shtim të asistentëve e prioritizim të kësaj çështjeje.

Sunita Kurti, nga shoqata “Autizmi”, deklaron se edhe pse nuk ka shifra zyrtare për personat e kësaj kategorie, numri i atyre që kërkojnë trajtim për autizëm është rritur jashtëzakonisht shumë kohëve të fundit.

“Normalisht që nuk mjafton, sepse numri i personave me nevoja të veçanta është shumë i madh, në fakt për autizmin nuk ka statistika të personave të prekur nga autizmi në nivel vendi. Por unë mund të flas për shërbimet që ofron organizata jonë shoqata ‘Autizmi’ nëpër degët e saj në Prizren, Podujevë, Lipjan dhe Prishtinë, ku i trajtojmë afro 180 raste. Nëse e marrim vetëm kategorinë e autizmit e shohim që nuk mjafton, e lëre më edhe kategoritë e tjera”, thotë ajo.

Nga Ministria kanë thënë se nga muaji janar 2022, komunat mund të fillojnë me procedurat e punësimit të asistentëve të paraparë me legjislacionin në fuqi. Në një deklarim ditë më parë, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e kishte arsyetuar numrin prej 100 asistentëve me numrin e të kualifikuarve të papunë.

Sipas MASHTI-t, aktualisht vetëm 70 asistentë janë të diplomuar dhe të papunë dhe kjo ka shkuar paralelisht me buxhetimin e tyre.

Në ditën kur u votua buxheti, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka kërkuar shtimin e buxhetit për asistentët në 3.8 milionë për vitin 2022. Por një gjë e tillë nuk e mori përkrahjen e pushtetit, amendament i cili nuk kishte marrë as përkrahjen e komisionit funksional.

Për punësimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, ministrja aktuale e Arsimit më 2017, si deputete e Kuvendit të Kosovës, kishte propozuar një amendament, por që ai nuk ishte miratuar pasi nuk e kishte marrë përkrahjen e deputetëve, mes të tjerash, edhe të atyre të Partisë Demokratike të Kosovës.