Arbëri

KEDS: Reduktimet më të gjata për shkak të mbingarkesës

Drejtori i sistemit të operimit në KEDS, Bujar Jupaj, ka thënë se planifikimin për reduktimet e energjisë elektrike 8 me 2, e kanë zbatuar në përpikëri, por që sipas tij aty ka paraqitur problem mbingarkesa që ka çuar në problemin në rikthimin e energjisë në disa lagje.

“Ajo që garantojmë është se planifikimi është zbatuar në përpikëri por çka ka ndodhë pas planifikimit, siç e ceka në moment kur kemi ngarkesa të mëdha, p.sh. një dalje ka qenë e mbingarkuar dhe nuk e ka pranuar. Pas aktivizimit të daljes përsëri fillojnë ngarkesa të mëdha që mund të vijnë deri te djegia kabllove, etj. Nuk është si pasojë që ne planifikimin nuk e kemi përfillur, planifikimi afër 97 përqind ka shkuar sipas parashikimeve, kërkesa që na ka dërguar kompania. Por, si pasojë e mbingarkesave ka mundur të ketë edhe për një kohë, deri ekipa ka arritur që të shkojë ta aktivizojë nëse ka munguar një fazë ose diçka tjetër”, ka thënë ai.

Jupaj ka thënë se nuk është privilegjuar askush përveç institucioneve shëndetësore, teksa këmbënguli te mbingarkesa si arsyetim që çoi në ndërprerje më të gjata të rrymës në disa lagje, se sa dy orëshi i paralajmëruar.

“Situata në vend sipas kërkesave që na kanë ardhur, kemi filluar edhe me ndërprerje. Ndërprerjet kanë ndodhur sipas kërkesave, në bazë të ngarkesave. Problem gjatë realizimit të planit si KEDS kemi pasë shumë probleme në rikthimin e energjisë si pasojë e ngarkesës së madhe, çka do të thotë se pas ndërprerjes së planifikimit me fillimin e aktivizimit të daljeve ka qenë një mori e problemeve si pasojë e mbingarkesave ku kemi pasë dëme, djegie të stabilimenteve elektroenergjetike. Mirëpo, përkundër këtij plani KEDS ka angazhuar 400 punëtorë që të rikthejë energjinë sa më shpejt”.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka paraqitur tre faktorë që kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës me energjinë.

“Sipas analizave që janë bërë janë tre faktorë që ndikojnë direkt në përkeqësimin e kësaj gjendje, është rritja e madhe e konsumit të energjisë. Pamjaftueshmëria e prodhimit dhe kriza ndërkombëtare që i ka rritur çmimet. Konsumi ka arritur deri në 1400 megavat orë që nuk është shënuar asnjëherë në historinë e korporatës, prodhimi shkon në 6000 megavat. Po flasim për një mungesë që në pikun maksimal shkon në 800 megavat apo ë, shumë se 50 përqind e kërkesës. Çmimet e importit po shkojnë 600 euro për megavat që është dhjetëfish më shumë se viti i kaluar. Për disa muaj ne e kemi bajtë barrën e furnizimit me energji të konsumatorëve, nuk kemi aplikuar reduktime deri kur na janë shterur resurset”, tha ai.

Buzhala ka thënë se për konstatimet e kreut të PSD-së, Dardan Molliqajt, po merret zyra ligjore. Molliqaj ka thënë gjatë ditës se KEDS-i qëllimisht e ka dëmtuar bllokun A3 dhe A5. Por, Buzhala tha se “ne nuk kemi as mundësi teknike që t’i rrëzojmë blloqet”.