Arbëri

Trajkoviq: Të arrestuarit, bashkëpunëtorë të Radoiçiqit e Veselinoviqit

Descriptive Text

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq, vlerëson se të arrestuarit e sotëm në aksionin e Policisë e Prokurorisë së Kosovës “Brezovica”, janë miq e bashkëpunëtorë të dyshes së sanksionuar nga SHBA-ja, Zvonko Veselinoviq e Milan Radoiçiq.

Trajkoviq në një intervistë për gazetën “Danas”, tha se aksioni i sotëm nuk është i drejtuar ndaj serbëve dhe se është diçka që është pritur nga popullata lokale, përfshirë edhe vetë serbët.

“Bëhet fjalë për njerëz që janë mbrojtur gjatë në hierarkinë politike. Tani ka një strukturë të re politike në Kosovë që dëshiron të arrijë liberalizimin e vizave dhe zbaton veprime. Pra, kjo nuk është e drejtuar kundër serbëve, përveç rastit që dikush ka vlerësuar se vetëm ata serbë mund të mbrojnë interesat serbe”, tha Trajkoviq.

Në aksionin e sotëm janë arrestuar 10 persona, përfshirë edhe ish-kryetarin e Listës Serbe, Bratislav Nikoliq. Ata janë të dyshuar për krim e korrupsion. Sipas Prokurorisë, vetëm Nikoliq dyshohet se ka përfituar paligjshëm 1 milion euro.

Ajo shtoi se bëhet fjalë për një grup të ngushtë që kishte privilegje në para, media dhe komunikim ekskluziv me Beogradin zyrtar.

“Është e dhimbshme se si Serbia nuk ka gjetur mënyra të ballafaqohet me Radoiçiqin dhe Veselinoviqin. Ata ishin në librin e bardhë të Shërbimit Informativ të Sigurisë së Serbisë tash e sa kohë. Por nga ajo kohë, ata janë bërë vetëm më të fortë. Radoiçiqi i ka zgjedhur ata kryetar të komunave. Veselinoviq tash është dërguar për të marrë nën kontroll Vojvodinën”, ka thënë Trajkoviq.

Veselinoviq e Radoiçiq janë të dyshuar për veprimtari ilegale në veri të Kosovës.