Arbëri

Jashari: Nuk duhet të popullohen burgjet tjera pas marrëveshjes me Danimarkën

Avokati Arbër Jashari e ka parë të favorshme marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Danimarkës për dhënien me hua të rreth 300 qelive në burgun e Gjilanit për të dënuarit në Danimarkë.

Ai ka thënë se përpos leverdisë ekonomike ku Kosova përfiton 210 milionë euro për dhjetë vjet, janë edhe disa gjëra tjera që Kosova përfiton siç janë investimet.

“Unë si avokat e kam parë këtë marrëveshje të leverdishme në sfera tjera pasi është marrëveshje me një shtet i cili ka traditë në trajtimin e të burgosurve. Kjo dëshmon se edhe Kosova është shtet serioz dhe respekton të drejtat themelore të njeriut. Në këtë aspekt e shoh vetëm si përfituese ndonëse ende ka skeptikë pasi ende nuk është bërë publik drafti final. Kur të kemi një marrëveshje finale do të analizohet më në detaje dhe mund të shihet edhe ndonjë dëm që mund t’i shkaktohet Kosovës”, ka thënë ai.

Jashari ka thënë se Kosova po del që ka kapacitet në burgje pasi 300 qeli nuk janë pak.

Ai ka thënë se Kosova ka disa qendra korrektuese e qendra të paraburgimit në secilin regjion, dhe ka kapacitete të mjaftueshme.

“Dua të besoj që me këtë marrëveshje nuk do të popullohen burgjet tjera. Të burgosurit e kanë të përcaktuar se sa persona mund të vendosen në një qeli. Nga ajo që kam parë qendra korrektuese në Gjilan do të jetë në tërësi në funksion të Danimarkës. Kam dëgjuar shumë këto ditë se ka rrezik nga të burgosurit. Kriminelët kur janë në burg nuk janë të rrezikshëm sepse do të mbahen me siguri të lartë. Mund të thuhet se Kosova është bërë strehë e të burgosurve por nga kjo marrëveshje ka më shumë përfitime”, ka thënë ai.

Jashari ka thënë se të burgosurit që do të vijnë janë të dënuar deri në dhjetë vjet.

Sipas tij, ata të burgosur janë njerëz të vendeve të treta do të thotë nuk janë as danezë e as shqiptarë.