Arbëri

Dëshmitarët që i mbijetuan masakrës për të cilën dyshohet Ivanoviqi besojnë pak në drejtësi

Oliver Ivanoviq ka munguar të premten në gjykimin ndaj tij.

Kjo sepse seanca është zhvilluar në të njohurën si rruga e Kovaçëve, aty ku ka ndodhur vrasja e 31 personave në prill 1999, raporton KTV.

Udhëheqësi i Iniciativës Qytetare serbe SDP ishte dënuar me 9 vjet burgim për këtë rast, por procesi u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Njëri nga dëshmitarët kryesorë të ekzekutimit të shqiptarëve në ‘‘99, kujton atë çfarë ka ndodhur më 14 prill.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, ai ka humbur besimin se do të ketë drejtësi në këtë rast, derisa pos tij edhe dëshmitarë tjerë e identifikojnë Ivanoviqin si pjesëmarrës në këto ekzekutime.

Dëshmitarët kanë provuar t’i tregojnë trupit gjykues se si kanë ndodhur ngjarjet, por kryetarja e trupit gjykues, Roxana Comsa, u ka sqaruar se këtë do ta bëjnë në Gjykatë.

Disa nga banorët që kanë humbur familjarë në këto vrasje nuk janë pajtuar me këtë qasje dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Tani në rigjykim, në bashkëpunim me familjarët dhe përfaqësues të tyre, janë propozuar edhe 2 dëshmitarë të tjerë.

Oliver Ivanoviq është duke u mbrojtur në liri, pasi Gjykata ia ka hequr edhe masën e arrestit shtëpiak.

Rasti do të vazhdojë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës në muajin gusht.