Arbëri

Sali Berisha liston arsyet pse duhet marrë pjesë në protestën kundër “Ballkanit të Hapur”

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka listuar katër arsyet pse duhet marrë pjesë në protestën e sotme në Tiranë kundër Ballkanit të Hapur.

Sot dhe nesër në Tiranë zhvillohet takimi i radhës i Ballkanit të Hapur, me praninë e tre liderëve, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Berisha ka njoftuar se do ta kundërshtojnë këtë takim me një protestë nga ora 16:00, që do të nisë nga selia e Partisë Demokratike drejt Zyrës së Kryeministrit në kryeqytetin e Shqipërisë.

Si arsye e parë pse duhet marrë pjesë në protestë, sipas Berishës, është fakti se Vuçiq është ministër i Millosheviqit. “Ai akoma nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga Serbia dhe vazhdon ta ndjek politiken e shefit të tij”, ka shkruar Berisha.

Arsyeja e dytë sipas ish-presidentit shqiptar është se Ballkani i Hapur, sipas tij, është projekt që e rrit dhe forcon Serbinë dhe planet e Serbisë së Madhe andaj nuk duhet lejuar assesi që të konkretizohet.

Sipas Berishës, “Edi Rama po bëhet pjesë e këtyre agjendave dhe është bërë një kukull e Vuçiqit, andaj duhet ta ndalim para se të bëhet vonë”.

E si arsye të fundit, Berisha ka shkruar se Kosova ka akoma plagë të hapura për të cilat Vuçiq është nga përgjegjësit kryesor. “Përveç kësaj, ai edhe mohon krimet, masakrat dhe gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës në luftë, andaj nuk është i denjë që të pritet në Tiranë e aq më pak që të bashkëpunohet me të”.

Image