Arbëri

Ardhja e bashkatdhetarëve në Kosovë, kolona të gjata në kufirin Hungari-Serbi

Descriptive Text

Me ardhjen e bashkatdhetarëve nga vendet e ndryshme të Evropës për festat e fundvitit në pikën kufitare në Merdare atyre nuk po u bie të presin më shumë se 10 deri në 15 minuta, por pritje të gjata ka në pikën kufitare Hungari-Serbi.

Ndërkaq mërgimtarëve në shtetet e tjera nuk po u kërkohet certifikata e vaksinimit, kjo atyre po iu kërkohet në pikën kufitare në Merdare.

Mërgimtari Fatos Ibishi, ka thënë se te pika kufitare në Merdare nuk kanë pritur më shumë se 10 minuta, por e kundërta i ka ndodhur në pikën kufitare në Hungari-Serbi, që ka pritur 3 orë e 10 minuta.

“Mirë kemi kaluar deri këtu, në kufirin e Hungari-Serbi kemi pritur 3 orë e 10 minuta, këtu 10 minuta. Po veç këtu në Kosovë kur erdhëm na kërkuan dëshminë e vaksinimit, aty në kufij të tjera jo, por unë e kam pasur atë që e kam marrë vaksinën, ua tregova. Kam pasur edhe djalin e axhës me vete. Ai e ka pasur testin, ua tregoi. Çka do që merret masa, ne do t’i respektojmë,” ka thënë ai.

Po ashtu edhe Ragip Mujota, mërgimtar, ka thënë se ka bërë 20 orë rrugë deri në Kosovë, ku po ashtu përmendi se i janë kërkuar certifikatat e vaksinës kundërCOVID-19.

“20 orë, askund nuk na ka rënë të presim, sepse sot e diele, jemi nisur të shtunën në mbrëmje. Jo, këtu nuk i kanë kërkuar, mua nuk m’i kanë kërkuar, por i kemi vaksinat. Janë të nevojshme për mbrojtjen e popullatës duhet marrë masat,” ka thënë ai.

Bashkatdhetari tjetër Adem Rafuna ka thënë se nuk ka pasur pritje në pikë të kufirit, ndërkaq ai tregoi edhe për certifikatën e vaksinimit që i është kërkuar në Merdare.

“Jam nisur dje në mëngjes 07:00 në mëngjes, një natë kam bujtur në Kroaci nuk më ka ra, në hyrje të Serbisë 15 minuta, edhe këtu 10 minuta. Certifikatat e vaksinës më duket se nuk m’i kanë kërkuar askund, vetëm këtu. Shumë mirë, gjithkund ashtu janë marrë, edhe Gjermania i ka ashtu, unë tri vaksina i kam marrë”, tha ai.

Masat antiCOVID parashohin se çdo person i cili hyn në Kosovë duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19, certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë).

Nga data 3 janar 2022 për të gjithë personat që hyjnë në Kosovë do të vlejë vetëm dëshmia e vaksinimit të plotë (me dy doza) kundër COVID-19. Po ashtu, personave që kërkojnë të hyjnë në territorin e Kosovës, iu jepet mundësia të vaksinohen nga ekipet mobile të vendosura në pikën kufitare ANP “Adem Jashari për ata që hyjnë në rrugë ajrore, dhe në pikat kufitare në Vërmicë, Merdare, Dheu i Bardhë, Hani i Elezit, për ata që hyjnë në rrugë tokësore.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë thirrje për vaksinim kundër koronavirusit, pasi thuhet se Kosova rrezikon për valë të re të infektimeve me ardhjen e mërgimtarëve./KSP/