Arbëri

PD-ja në përplasje midis Kuvendit të Bashës dhe referendumit të Berishës

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ashtu siç kishte paralajmëruar, Partia Demokratike të shtunën mbajti Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Lulzim Basha. Mbledhja e Kuvendit Kombëtar u mbajt në një ditë kur Komisioni i Rithemelimit të Partisë zhvilloi një referendum, ku anëtarë të PD-së në rrethe kanë votuar për ratifikimin e vendimit të Kuvendit Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha më 11 dhjetor, i cili votoi për shkarkimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i partisë

Tiranë, 18 dhjetor – Partia Demokratike, më e madhja në opozitë në Shqipëri, të shtunën është e ndarë midis Kuvendit të partisë të organizuar nga kryetari, Lulzim Basha dhe një referendumi për ta larguar Lulzim Bashën nga PD-ja, i organizuar nga Komisioni I Rithemelimit të Partisë Demokratike, dalë nga Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ashtu siç kishte paralajmëruar, Partia Demokratike mbajti Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Lulzim Basha. Kryetari i Komisionit të Kuvendit Kombëtar të PD-së, Jemin Gjana, zbuloi se në Kuvendin e thirrur të shtunën më 18 dhjetor nga Basha marrin pjesë 5004 delegatë, duke u shprehur se ky Kuvend ka shumicën. Ai i kërkoi strukturës së PD-së që të dielën pasi të jenë hedhur në sistem, 5004 emrat të bëhen publikë. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka mbajtur fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të PD-së të shtunën, ku ka thënë se qëllimi i kësaj mbledhjeje është për të thënë disa të vërteta që kanë kohë që nuk thuhen. Më tej, Basha ka theksuar se në këtë ditë do të merren vendime “me votën e të gjithëve”, vendime që presin demokratët dhe shqiptarët. Kreu i PD-së ka deklaruar nuk do të lejohen më në parti njerëz që kanë lidhje me regjimin e Enver Hoxhës dhe me botën e krimit. Kryedemokrati ka theksuar disa herë se “si do të jetë PD-ja sot, do të jetë Shqipëria nesër”, duke shtuar se nuk do të lejohen njerëzit që cenojnë orientimin perëndimor të vendit. Ndërkohë që kryetari i PD-së, Basha, bëri një deklaratë të fortë të shtunën në Kuvendin Kombëtar kur tha se pas shpalljes “non grata” nga SHBA-ja të Sali Berishës dhe familjes së tij, janë përballur me një fushatë në kufijtë e një përplasjeje civile, metoda nga më të ulëtat të një grupi të vogël, por zhurmëmadh, për ta detyruar PD-në të futet në konflikt me SHBA-në”. Duke komentuar lëvizjen e Berishës pas vendimit për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i PD-së, sipas Bashës, “drama që ra mbi Berishën, duhej shuar duke krijuar një dramë mbi demokratët”.

“Por, unë nuk mund ta pranoja këtë, ne nuk mund ta lejojmë këtë, sepse Partia Demokratike nuk është pronë e askujt, por është pasuri e demokratëve, të cilët kërkojnë vetëm një gjë, fitoren”, ka theksuar Basha teksa ka thekuar në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike se kjo forcë politike është e vetmja shpresë për shqiptarët. U kërkoi ndjesë delegatëve të kësaj force politike, por edhe të gjithë simpatizantëve të saj në lidhje me dualizimin e treguar prej tij në drejtimin e partisë në të shkuarën. Duke theksuar se ky dualizëm ka marrë fund, Basha u kërkoi demokratëve që të zgjedhin të ardhmen dhe jo të shkuarën.

“Sot partia ka një kryetar dhe ajo duhet të ketë gjithnjë një kryetar”, ka deklruar Basha. Sipas tij, kriza që po përjeton këto muaj PD-ja nuk lindi pas pezullimit të Berishës, por ka një parahistori që lidhet me raportet e ish-kryeministrit me partinë, që e konsideron si provë private. “Sali Berisha bëri sikur iku në vitin 2013, por në fakt nuk iku kurrë. Kjo krizë zbuloi gjithashtu se xhindosja e tij nuk është me Partinë Demokratike, nuk është me mua, që jam pengesa që ai ta kthejë atë në një bunker kundër aleatit strategjik të shqiptarëve dhe kundër interesave të demokratëve, por xhindosjen e ka me SHBA-në”, ka thënë Basha. Në Kuvendin Kombëtar të 18 dhjetorit sipas tij, është dita kur demokratët duhet të ndahen qartësisht nga një fazë “rraskapitëse” e konfliktit të Sali Berishës me SHBA-në. Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike ka miratuar rezolutën Këshillit Kombëtar të PD me 12 vendime. Rezoluta e konsideron Kuvendin e Sali Berishës një tubim dhe vendimet e marra prej tij si “nul”. Duke theksuar se Berisha falsifikoi simbolet e PD-së, Këshilli Kombëtar ka shtuar se lëvizja “Berisha” dhe tubimi si finalizim i saj janë një përpjekje për të deligjitimuar institucionet e Partisë Demokratike deri në zhbërjen e saj si forca më properëndimore në vend, duke synuar shndërrimin e saj në një bunker për mbrojtjen e interesave personale të Sali Berishës përballë SHBA-së.

Mbledhja e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike u mbajt në një ditë kur Komisioni i Rithemelimit të Partisë, zhvilloi një referendum, ku anëtarë të PD-së në rrethe kanë votuar për ratifikimin e vendimit të Kuvendit Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha më 11 dhjetor, i cili votoi për shkarkimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i partisë. Pas orës 20:00, kanë qenë 43 mijë e 385 anëtarë të PD-së që kanë votuar pro shkarkimit të Lulzim Bashës.

Albana Vokshi, anëtare e Grupit për Rithemelimin e PDF-së dhe kryetare e komisionit për referendumin, ka lexuar rezultatet e referendumit. Rezultatet u lexuan jashtë ambienteve të selisë së PD, në prani edhe të ish-liderit demokrat, Sali Berisha. Në një prononcim për mediat, ai e ka cilësuar zhvillimin e këtij referendumi si një proces që do të rishkruajë historinë e revolucionit demokratik. Sipas Berishës, asnjë forcë nuk mund të ndalë këtë lëvizje dhe njerëzit e lirë në realizimin e qëllimeve të tyre. Një kritikë, ish-lideri demokrat e kishte dhe për Kuvendin Kombëtar të zhvilluar të shtunën nga PD-ja. Berisha ka thënë se Basha ka falsifikuar numrin e delegatëve që morën pjesë. I ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të lërë lojërat dhe të mos luaj me pluralizimin politik. “I them Ramës se revolucioni po troket në dyert e kalbura të ndërtesës tënde”, ka thënë ai. Në fund, Berisha u ka bërë thirrje demokratëve, por edhe shqiptarëve për të pritur me protesta ardhjen e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të hënën në Tiranë.

“Unë u bëj thirrje shqiptarëve, u bëj thirrje demokratëve dhe demokratëve ditën e hënë në orën 16:00 pasdite të mblidhemi para kryeministrisë dhe në këtë shesh në protestën e parë kombëtare, të shpallur jashtë parashikimit si kohë, por rrethanat e bënë të domosdoshme. Vuçiqi do të pritet ashtu siç e meriton me protesta, pasi vjen këtu në kuadrin e një projekti të aleancës trilaterale Beograd-Shkup-Tiranë. Kjo aleancë është kërcënim kombëtar për shqiptarët dhe për paqen. Kjo aleancë është për vendosje e hegjemonisë dhe hapje ndaj influencës ruse”, ka thënë Berisha.

Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas përfundimit të Kuvendit Kombëtar lidhur me referendumin për shkarkimin e tij. Basha ka mohuar të ketë pasur një të tillë duke thënë se ka një PD dhe një Kuvend Kombëtar. “Nuk ka referendum, nuk ka Komitet Rithemelimi. Ka një PD dhe një Kuvend Kombëtar që sapo mori vendimet e tij. Është mbajtur Kuvendi i demokratëve. Ka njerëz që nuk nxjerrin mësim nga historia. 1996 është një njollë turpi në historinë e PD për të cilën i kërkojmë falje shqiptarëve. Nuk mund të ketë më përsëritje”, ka thënë Basha, ku me këtë rast, u është referuar zgjedhjeve të 26 majit vitit 1996, ku PD-ja i zhvilloi ato pa praninë e komisionerëve socialistë, pasi Partia Socialiste tërhoqi komisionerët nga të gjitha qendrat e votimit në vend pa u mbyllur procesi zgjedhor. Zgjedhjet e 26 majit u kritikuan ashpër nga faktori ndërkombëtar, veçanërisht nga SHBA-ja.