Arbëri

Haradinaj kritikon Qeverinë se po bashkëpunon me Listën Serbe për buxhetin

Descriptive Text

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, thotë se Qeveria Kurti po nxitohet pa kuptim për aprovimin e buxhetit. Sipas tij, Qeveria humb nëse nuk buxheton Ligjin për Paga fillimisht.

“Sot Qeveria Kurti në aleancë me Listën Serbe e ndërroi rendin e ditës, e vendosi në seancë të jashtëzakonshme leximin për të dytën herë të buxhetit. Shqetësuese është që Qeveria Kurti e ndihmuar nga Lista Serbe po nxitohet që ta aprovojë buxhetin pa e marrë në konsideratë buxhetimin e Ligjit të Pagave”.

Ai ka dhënë edhe dy këshilla për Kurtin për menaxhimin me krizën energjetike.

“Jemi në vazhdim të pandemisë dhe pasojave në ekonomi dhe një situatë e rëndë energjetike. I bëj apel Kurtit që të ndërmerr dy veprime menjëherë, një që ta fillojë orarin e punës në KEK, dhe e dyta, të paguajë koston e importit për këtë vit nga buxheti i këtij viti, mos ta bartë në buxhetin e vitit tjetër sepse krijon pengesa për buxhetim të projekteve të tjera”, ka thënë Haradinaj.

Kurse për dialogun me Serbinë, Haradinaj tha se Kurti po fshihet dhe po i ndihmon agjendës serbe me nxitimin për buxhetin.

“I bëj thirrje Kurtit mos të fshihet sepse po hetohet që është në koalicion me Listën Serbe, t’i dalë përballë çështjes së marrëveshjes finale me Serbinë. Mënyra e qasjes së Kurtit në dialog duke tentuar të na bindë se ky nuk e implementon asociacionin e në të njëjtën kohë implementon buxhet me Listën Serbe pa Ligjin për Paga dhe pa buxhetimin e projekteve të rëndësishme, nuk vlen. Kurti duke u nxituar ta votojë Ligji për Buxhetin pa Ligjin për Paga me ndihmën e Listës Serbe, po i ndihmon agjendës së Serbisë”, tha Haradinaj në konferencë për media.