Arbëri

Tahiri kritikon Qeverinë për neglizhencën ndaj Ligjit të Pagave

Image

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke zhvilluar debat parlamentar lidhur me çështjen e pagave në sektorin publik.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se përmes këtij ligji nuk ngrihen pagat por rregullon pagat në sektorin publik dhe i jep atë në mënyrë të dinjitetshme.

Sipas tij, ky projektligj po diskutohet tash e 10 vjet në Qeveri të ndryshme, deri në Qeverinë Haradinaj në të cilën u miratu dhe u votu në Kuvend.

“Ky ligj kur u votua, ka pas lëvdata nga BE. Sepse pas shumë viteve Qeveria ka kaluar një ligj që ka rëndësi të veçantë. Ka ndodhë diçka e pazakontë e pabesueshme një neglizhencë që nuk ka shpjegim tjetër ose mungesë vullneti ose pazotësi me u marrë me këtë temë të madhe. Pasi që nuk ka asnjë veprim të deritanishëm. Duhet me dhënë përgjigje disa përgjigje, Xhelal Sveçla dhe ai i Financave. A mundet zotëri Sveçla, si mund që një ligj të vendoset në agjendën legjislative një ligj e nuk konsultoheni me askënd, dhe nuk e trajtoni fare këtë ligj. Ku është ligji sot? Cila është përmbajtja e tij sot? A keni nda me sindikatat? A keni fol me ta? A bën me na tregu pse nuk ka ndodhë asnjë veprim, pse s’keni tregu në fillim që nuk do ta sillni në Kuvend”, ka thënë ai.

Besnik Tahiri, ka thënë se edhe vetë ka pasur probleme me sindikatat e arsimit dhe të shëndetësisë, por sipas tij janë pajtuar për t’u mos pajtuar, dhe nuk janë armiqësuar me to.

Ai ka kërkuar nga Ministri Hekuran Murati, t’i tregojë arsyet se pse nuk po buxhetohet ligji i pagave.

“Ministri Hekuran Murati, tregona pse se ke bërë, a e ke pas si neglizhencë? S’e ke pas prioritet? Nuk dua të përfshihem në debatin mes juve dhe sindikatat. E di si funksionojnë ato, jam marrë me to më herët. Unë jam pajtu të mospajtohem me ta. Sa i përket debatit mes Qeverisë dhe sindikatave, këtu nuk përfshihem. Por ne kemi problem me 80 mijë shërbyes civil që do të përfitonin nga ky ligj që ju vetë e keni vendos. Ne kemi pas debat e kundërshtime të ashpra me Rahman Jasharin, e kemi diskutu temën e koeficientëve, njëjtë kemi fol me punëtorët e shëndetësisë. Kërkesa jonë është shumë e thjeshtë, përmes këtij debati mendojmë të arrijmë ta buxhetojmë ligjin e pagave”, ka thënë Tahiri.