Arbëri

Ish-polici serb ishte dënuar për masakrën që e mohon Serbia

Përderisa Serbia vazhdon ta mohojë masakrën e Reçakut, në vitin 2001, një ish-polic serb ishte dënuar për këtë rast me pesëmbëdhjetë vjet burgim nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë. Dënimi i ishte konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme.

Zoran Stanojeviq, ish-polic serb në Shtime, ishte dënuar më 18 qershor të vitit 2001, për vrasjen e Hajriz Ibrahimit dhe tentimvrasje ndaj Destan Rashitit e Nazmi Mahmutit.

Stanojeviq kishte marrë pjesë në masakrën e Reçakut ku më 15 janar të vitit 1999 ishin vrarë e masakruar mbi 40 pleq e fëmijë.

Siç thuhet edhe në një raport publik mbi sistemin e drejtësisë të UNMIK-ut dhe OSBE-së, në shtatorin e 2002-s, gjykimi ndaj Stanojeviqit ishte zhvilluar para kolegjit me shumicë ndërkombëtare.

Në një historik të këtij rasti, në raportin e UNMIK-ut dhe OSBE-së jepen detaje se aktakuza ndaj Stanojeviqit u ngrit më 9 maj 2000. Fillimisht ai akuzohej për vrasje. Aktakuza qe paraqitur nga prokuror vendor, ndërsa procedura gjyqësore ishte zhvilluar nga prokurori ndërkombëtar. Përbërja e kolegjit kishte qenë me shumicë vendore.

Ndërkaq në procedurën ankimore, prokurori ishte ndërkombëtar, sikurse shumica e kolegjit.

Raporti thekson se, sipas aktakuzës, Stanojeviq më 15 janar 1999 ishte anëtar i grupit të policëve të Serbisë që morën pjesë në shtënien me armë në civilë derisa ata tentonin të iknin nga fshati Reçak i Shtimes.

“Gjykimi, fillimisht, i caktuar për korrik 2000, ishte shtyrë për shkak të mosparaqitjes sëdëshmitarëve. Gjykimi, më në fund, filloi para kolegjit me shumicë ndërkombëtare më 6 janar 2001. Më 6 shkurt 2001 avokati i cili përfaqësonte dy palët e dëmtuara, dukevepruar si prokuror privat, parashtroi aktakuzën e cila akuzonte Stanojeviqin me dy pikaplotësuese të tentim-vrasjes (këto dy pika burojnë nga i njëjti incident sikurse dheaktakuza fillestare). Gjykata i konsolidoi të dy aktakuzat për gjykim.Stanojeviq, fillimisht, prezantoi mbrojtjen e tij nga alibia. Sidoqoftë, avokati i tij mbrojtësgjithashtu pohoi se, edhe po të supozohej se dëshmitarët e ndjekjes janë të besueshëm,rasti duhej të ishte bazuar në akuzat për krime lufte në vend se për vrasje, dhe se Stanojeviq si ushtarak i rangut të ultë, nuk ishte përgjegjës për krimet e kryera nga shteti.Më 18 qershor 2001 kolegji e shpalli të pandehurin fajtor sipas akuzës për një pikë tëvrasjes dhe dy pika të tentim vrasjes, dhe e dënoi atë me 15 vjet burgim”, thuhet në raportin e publikuar më 2002.

Dënimi i Stanojeviqit kishte ngjallë shpresën për gjykim të masakrës e për dënim të shtetit të Serbisë, shkruante më 2001 KOHA Ditore. Megjithatë, më shumë se dy dekada pas luftës një gjë e tillë ende s’ka ndodhur.

Rasti i tij ishte përdorur edhe në gjykimin ndaj Sllobodan Millosheviqit në Hagë.

Stanojeviq në vitin 2007 ishte “falur” nga ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, me pretekstin se “gjykimi në Prishtinë s’ishte i drejtë”.

Ditë më parë krerë të institucioneve serbe edhe njëherë tjetër e mohuam masakrën e Reçakut. Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vulin, tha se masakra e Reçakut është “falsifikim dhe gënjeshtër e tmerrshme”. Ndaj deklaratës së tij ka reaguar ish shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, e edhe Bashkimi Evropian. Kanë theksuar se krimi në Reçak është i dokumentuar dhe për të nuk ka vend për mohim.


Raportimi i KOHËS Ditore nga numri i 19 qershorit 2001

Image

Dënimi minimal por një hap para për gjykimin e masakrës

Prishtinë, 18 qershor 2001 – Pothuajse askush nga ata që kanë përcjellë rregullisht gjykimin e rastit Stanojeviq nuk kanë mundur të parashikojnë verdiktin e trupit gjykues. Megjithatë, avokati mbrojtës Zhivojin Jokanoviq, duhet të ketë pasur njohuri për verdiktin meqë, të hënën nuk ka ardhur fare në shpalljen e aktgjykimit.

Zoran Stanojeviq, ish-polic serb në Shtime, është dënuar me pesëmbëdhjetë vjet burgim nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë me akuzën për vrasjen e Hajriz Ibrahimit dhe tentimvrasje ndaj Destan Rashitit dhe Nazmi Mahmutit. Dënimi do të jetë i integruar ashtu që atij do t’i llogariten edhe 22 muaj qëndrim në paraburgim dhe në afatin prej pesëmbëdhjetë ditësh duhet të paguajë 200 DEM shpenzime të gjyqit derisa pjesa tjetër e shpenzimeve do të paguhet nga i dënuari pas vlerësimit të lartësisë dhe sipas procedurës ligjore.

Kryetarja e trupit gjykues, Agnjeshka Kolonovjetska Millart, në sallën e Gjykatës së Qarkut me ndërprerje të shpeshta ka lexuar të hënën aktgjykimin e parë për vepër penale në karrierën e saj. Ajo më herët ka qenë punëtore administrate në B e H, derisa përvoja e saj në gjykatat e Polonisë ka qenë në kontestet civile.

Stanojeviq ka marrë pjesë në masakrën e Reçakut ku më 15 janar të vitit 1999 janë vrarë e masakruar 42 pleq e fëmijë.

“Dënime të tilla jepen në rastet e dënimit moral siç është shembull mbytja në aksident komunikacioni”, ka thënë pas gjykimit avokati Gashi.

Avokati i palës së dëmtuar nuk është i pakënaqur me vendimin e trupit gjykues duke qenë se, siç ka thënë ai, “fillimisht është bërë ndryshimi i aktakuzës që kam paraqitur nga vrasje dhe tentimvrasje të kualifikuar në vrasje dhe tentimvrasje të thjeshtë”. Por këtë aktgjykim avokati Gashi, megjithatë, e ka parë si pozitiv ngaqë, siç është shprehur, fjala është për vërtetimin e vrasjeve në Raçak të bërë nga njerëz me uniformë të urdhëruar nga kreu i shtetit serb. Për këtë avokati Gashi i është përgjigjur me premtime kërkesës së fshatarëve të Raçakut “duhet të ngritët aktakuzë kundër vetë shtetit të Serbisë”.

Provat që kanë dalur nga dëgjimi i dëshmitarëve u kanë dhënë shpresë vazhdimisht fshatarëve të Raçakut se “Stanojeviq do ta marrë dënimin e merituar”, por ata kanë qenë skeptikë vazhdimisht për shkak se, siç ka thënë dëshmitari Destan Rashiti, “kryetarja e trupit gjykues nuk ka qenë korrekt gjatë gjykimit”.

Sylejman Halili, fshatar nga Raçaku, i cili gjatë masakrës më 15 janar 1999 ka humbur djalin, me sytë e mbushur lotë thotë se “gjykimi nuk ka qenë korrekt sepse në masakrën ku ai ka marrë pjesë janë masakruar 42 veta, pleq e fëmijë”.

Ndërkaq Peter Koreck, prokurori publik i Gjykatës së Qarkut ka konsideruar korrekt dënimin duke shtuar se evidencat e dalura nga dëshmitë kanë vërtetuar veprën penale të Stanojeviqit.

Menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit i dënuari është lidhur për t’u dërguar në Burgun e Mitrovicës prej nga deri tashti kanë ikur gjysma e të akuzuarve për krime lufte.