Arbëri

Kërkesat për dialog bashkojnë shoqëritë civile të Kosovës e Serbisë

Dialogu

Ngecjet e Kosovës dhe Serbisë në procesin e bisedimeve drejt një marrëveshjeje përfundimtare, kanë bërë bashkë organizatat e shoqërive civile në të dyja shtetet. Përmes një deklarate të përbashkët, rreth 50 organizata e aktivistë të shoqërisë civile kanë kërkuar seriozitet të shtuar në procesin e dialogut e hapa konkretë drejt përfundimit të tij

Përfshirje më aktive në procesin e bisedimeve me Serbinë janë duke kërkuar shoqëritë civile. Rreth 50 organizata e aktivistë të shoqërive civile, nga Kosova dhe Serbia, ditë më parë janë bërë bashkë dhe nga të dyja shtetet kanë kërkuar seriozitet të shtuar në dialogun mes tyre, drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare.

Në deklaratën e përbashkët të tyre e të drejtuar dy qeverive, shoqëria civile ka renditur kërkesat e tyre e në mesin e të cilave edhe ajo për vazhdimin e dialogut “në mënyrë thelbësore dhe të qëndrueshme”, zbatimin e marrëveshjeve të arritura e respektimin e të drejtave të komuniteteve pakicë.

“Demokraci Plus”, është një nga organizatat pjesë e kësaj iniciative. Emir Abrashi nga “DPlus” ka thënë se mosafrimi mes dy shteteve për 10 vjet sa është duke u zhvilluar dialogu, ka qenë një nga arsyet e bashkëpunimit të shoqërisë civile. Sipas tij, nisma për të bërë bashkë shoqërinë civile është e një organizate ndërkombëtare “Peaceful Change Initiative”. Përmes kësaj nisme, Abrashi ka thënë se kërkojnë nga qeveritë seriozitet të shtuar në procesin e dialogut e hapa konkretë drejt përfundimit të tij. Ai ka përmendur edhe ndërprerjet e vazhdueshme të bisedimeve e që siç ka thënë ai, kohëve të fundit duket se është duke u bërë për shkak të Asociacionit.

“Duke pasur parasysh këtë situatë, organizatat e shoqërisë civile të cilat janë edhe nga Kosova, edhe nga Serbia, u bëjnë thirrje qeverive të të dyja vendeve që fillimisht t’i ulin gjakrat dhe të vazhdohet me procesin e dialogut, të implementohen marrëveshjet e arritura dhe të këtë një koordinim më të mirë mes shoqërisë civile dhe institucioneve të të dyja vendeve”, ka thënë Abrashi.

Deri më tani, ka thënë Abrashi, qasja e shoqërisë civile karshi përfshirjes në dialog ka qenë tjetër, e që përmes deklarimit të përbashkët të atyre në Kosovë e Serbi do të duhej të ndryshonte.

“Reagimet e shoqërisë civile karshi dialogut kanë qenë deri më tani reaktive, do të thotë ne kemi reaguar për zhvillimet të cilat kanë ndodhur dhe me atë të kësaj iniciative ne tentojmë të kemi një qasje më proaktive. Shoqëria civile të jetë më e involvuar në procesin e dialogut dhe rrjedhimisht të ketë më shumë zë në vendimmarrjen e cila ndodh në procesin e dialogut”, ka thënë ai.

Lidhur me kërkesat e përbashkëta të shoqërisë civile nga Kosova dhe Serbia, KOHA ka kërkuar të marrë një qëndrim nga Qeveria, por nuk ka marrë përgjigje të shtunën. Në anën tjetër, njohësi amerikan për çështjet e Ballkanit, Daniel Serwer, të premten ka thënë se nuk beson se do të ketë zgjidhje të shpejtë në dialogun Kosovë-Serbi. Serwer ka kritikuar moszbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, derisa ka treguar se si e sheh SHBA-në të përfshirë në këtë proces.

“Do të doja ta shihja Amerikën më të përfshirë, por më të përfshirë specifikisht në një sferë dhe kjo sferë është monitorimi i implementimit të marrëveshjeve, për të cilat palët janë zotuar t’i zbatojnë në dialog. Mendoj se edhe BE-ja e edhe SHBA-ja duhet të formojnë një lloj zyre sikurse Zyra Civile Ndërkombëtare që bëri monitorimin e implementimin e planit të Ahtisaarit pas shpalljes së pavarësisë, ashtu që kjo zyrë t’i monitorojë marrëveshjet që arrihen në dialog”, ka thënë Serwer në bisedën në “Interaktiv”, derisa ka thënë se bashkëpunimi midis BE-së dhe SHBA-së në monitorimin e zbatueshmërisë së marrëveshjeve të arritura nga dialogu i zhvilluar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ishte hap pozitiv.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, gjatë udhëheqjes së Qeverisë nga kryeministri Albin Kurti, është zhvilluar kryesisht në nivel të ekipeve negociatore. Që nga qershori e deri më tani, Kurti është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, vetëm dy herë, më 15 qershor dhe 19 korrik. Që të dyja takimet janë mbyllur pa u dakorduar për diçka konkrete.

Për muajin dhjetor disa herë është paralajmëruar se do të mbahet një takim i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, por që për shkak të, siç ka deklaruar përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, mosgatishmërisë të të dyja shteteve, gjasat që ai të ndodhë janë të vogla.

Për dialogun, në fillim të javës, kanë diskutuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell. Por, në konferencën e përbashkët të tyre, u vërejtën dallime të thella mes qëndrimeve të tyre. Njëra prej të cilave ishin edhe ato për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Derisa Kurti deklaroi se formimi i këtij asociacioni nuk është në interes të serbëve të Kosovës, Borrelli kritikoi qasjen që Kosova ka karshi kësaj çështjeje. Përfaqësuesi i lartë i BE-së ka thënë se marrëveshja e nënshkruar nga të dyja palët për formimin e Asociacionit duhet të implementohet. Kurse, kryeministri Albin Kurti përmendi moszbatimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë.

“Na duhet karakter demokratik i dialogut. Që njerëzit të fitojnë. E ritheksoj se në fund të dhjetorit të 2015-s, serbët nuk u brengosën fort për vendimin e Kushtetueses, por ishte Beogradi që po vajtonte atë që ka ndodhur”, ka deklaruar Kurti të martën, më 7 dhjetor në konferencën me Borrellin.