Arbëri

VMRO me 10 grupe parlamentare, Xhaferi e anuloi seancën e kuvendit

Descriptive Text

Pas formimit të 10-të grupeve parlamentare të VMRO-DPMNE-së, Kuvendi i Maqedonisë sot nuk do ta vazhdojë seancën në të cilën si pikë e dytë e rendit të ditës është shkarkimi i prokurorit publik, Marko Zvërlevskit. Edhe pse ishte caktuar, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi e anuloi seancën, njofton Portalb.mk.

Se kur Zvërlevski do të vijë në rend të ditës askush nuk mund ta parashikojë. Sepse VMRO-DPMNE-ja i ka ndarë deputetët në 10-të grupe parlamentare që kanë fituar kohë dhe mundësi që t’i zgjatin diskutimet në Kuvend.

Sipas Rregullores, koordinatorët e grupit parlamentar kanë të drejtë për diskutim prej 15 minutave dhe të kërkojnë vërejtje procedurale 3 minuta.

Koordinator të grupeve parlamentare janë: Ilija Dimovski, Antonio Milloshovski, Zoran Iliovski, Vlladanka Aviroviq, Daniela Rangellova, Panço Minov, Dimitar Stefanaxhija, Dragan Danev, Bllagica Lasovska dhe Dragan Cuklev.

Nga VMRO janë paraqitur për zgjedhje të pikës së rendit të ditës ku duhet të diskutohet rreth dhënies së lejes të Avokatit të Popullit, Ixhet Memeti me mundësi që vetë të punojë, i pavarur nga ligjet për administrim publik dhe shtetëror.

Nëse merret parasysh se çdo njëri nga deputetët e paraqitur ka të drejtë edhe të replikës dhe të vërejtjeve procedurale votimi për shkarkimin e Zvërlevskit mund të zgjatet dhe të bëhet gjatë javës së ardhshme.

Formimi i 10-të grupeve parlamentare është bllokadë klasike në Kuvend, akuzojnë nga LSDM-ja. Koordinatori Tomisllav Tuntev në konferencë për shtyp tha se shumica parlamentare do t’i marrë parasysh të gjitha masat rregullore me qëllim që të ndërpritet sjellja e tillë dhe paralajmëroi ndryshim në rregullore.

Deri tani asnjë grup parlamentar nuk ka pasur numër kaq të madh të grupeve parlamentare. Në vitin 2006 LSDM-ja ka pasur 6-të grupe parlamentare.