Arbëri

Paraqitjen e kryeministrit në Bruksel opozita e konsideron të gabuar

Prezantimin e Kosovës me fusnotë e qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti karshi përfaqësuesit të lartë të BE-së e kanë kritikuar partitë në opozitë. Duke ia përmendur Kurtit qëndrimet e mëparshme lidhur me fusnotën, PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja e konsideruan paraqitjen e së martës të kryeministrit në Bruksel jo të duhur. Por, ndryshe nga ta mendojnë nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Me kritika është pritur në Kosovë pjesëmarrja e kryeministrit Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Stabilizim-Asociimit në Bruksel.

Partitë në opozitë të mërkurën kanë thënë se paraqitja e Kurtit e qasja e tij ndaj BE-së nuk është e duhura.

Abelard Tahiri i PDK-së ka thënë se Kurti është dashur ta ngrijë si çështje përfaqësimin e Kosovës pa fusnotë e jo të prezantohet me të.

“Po shihet se zotëri Kurti s`ka pas as kurajën dhe mundin me ngritë këtë çështje. E ka marrë si të mirëqenë sic kanë vazhduar gjithë kryeministrat e tjerë. Kur so e gjykojmë nga e thëna në të bërë për zotëri Kurtin qëndron një mal i tërë”, ka thënë Tahiri.

Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës, që nga fillimi ka pasur qasjen e gabuar karshi procesit të dialogut.

“Sa i përket takimit të djeshëm mendoj që ajo sjellje nuk ka qenë e duhur, duhet të jemi sa më të matur kur kemi të bëjmë me përfaqësuesit e BE-së sepse ajo përplasje dipomatike nuk na bënë nder”, ka deklaruar deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

“Në kushtetutën tonë ekziston e drejta për themelimin e Asociacionit. Ndërsa çfarëdo tendence që përmes këtij institucioni të synohet një intervenim që ky institucion të merrte përgjegjësi dhe kompetenca që kalojnë është e pakalueshme dhe nuk do të merr mbështetjen e shumicës shqiptare”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Por, ndryshe nga opozita mendon partia në pushtet. Mimoza Kusari-Lila nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se përfaqësimi i Kosovës nga Kurti ka arritur në një standard të ri e përfaqësim të barabartë.

“Puna shihet që është shumë e vështirë sepse edhe përfaqësues të BE-së janë mësuar me një qasje tjetër të përfaqësuesve të Kosovës dhe kjo po vërehet që është ngarkesë shtesë me të gjitha proceset që janë në vijimësi ku Kosova është palë”, është shprehur Kusari-Lila.

Paraqitja e kryeministrit Albin Kurti në Bruksel, sipas Enver Hasanit, do të acarojë ndërmjetësuesit e dialogut.

“Zgjedhjet presidenciale në Serbi janë pak një hendikep se edhe lehtësuesit e BE e presin se duhet me pa çfarë legjitimiteti ka pala serbe për këtë çështje. Këtë hapësirë ne duhet me shfrytëzu prapë, për një debat të brendshëm edhe me serbët lokal”, ka thënë Hasani.

Pas mbledhjes së katërt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit, kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borell, në deklarimet e tyre shfaqën qëndrime të kundërta sa i përket formimit të Asociacionit e mundësisë që këtë vit të ketë takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.