Arbëri

Basri Lenjani konteston vlerësimin, paralajmëron ankesë në gjykatë

Descriptive Text

Menaxhmenti i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar dhe përgjegjësit e këtij institucioni më të lartë shëndetësor pritet të përfundojnë në gjykatë nga Basri Lenjani, ushtrues detyre i drejtorit të Klinikës Emergjente në QKUK.

Lenjani, i cili një ditë më parë tha se nuk do jetë më në krye të kësaj klinike, përmes telefonit i ka thënë KOHËS se për shkak se konkursi ka qenë i politizuar, do t’i drejtohet me ankesë gjykatës.

Ai ishte në mesin e atyre që nuk e kaluan testimin në konkursin e fundit për drejtorë të klinikave, teksa përmes një statusi në facebook hodhi akuza se bordi i SHSKUK-së ka pasur presione politike.

Megjithatë ende nuk është bërë e ditur se kush do jetë në krye të emergjencës.

Në një njoftim në faqen e Facebook-ut të SHSKUK-së, më 11 nëntor, janë publikuar disa foto të takimit mes drejtorit të këtij institucioni, Valbon Krasniqi, me drejtorët e klinikave, të zgjedhur së fundmi.

Nga mbi 20 klinika sa ka QKUK-ja, 12 nga to tashmë janë bërë me drejtorë e 11 prej tyre janë në proces të zgjedhjes. Në dy klinika është vendosur që të përsëritet testimi, në atë Pulmologjisë e të Neurologjisë, për shkak të numrit të vogël të aplikuesve.