Arbëri

Pavarësisht zbutjes së kritereve, as 100 doza të vaksinës s’u administruan gjatë së shtunës

Descriptive Text

Më pak se 100 doza të vaksinave anti-COVID janë administruar gjatë së shtunës, pavarësisht se MSH-ja i ka relaksuar kriteret se kush mund të vaksinohet.
Qendrat e mëdha të vaksinimit ishin të mbyllura, por ekipe mobile kishte në qendra tregtare, si dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Në Ambulancën e Aeroportit, për te cila nuk kishte asnjë shenjë a shigjetë treguese, ishte i vendosur ekipi i Qendrës së Mjekësisë Familjare të Obiliqit.

Ky ekip gjatë ditëve të kaluara ka vaksinuar qytetarë nëpër fshatra të Komunës së Obiliqit. Ekipi i vaksinimit në Aeroport e ka pasur vetëm një të interesuar që e ka marrë dozën e parë deri në mesditë.

Por, siç tregoi mjekja Zyrafete Hoti-Hashani, kushdo mund të vijë të vaksinohet.

"Jemi të udhëzuar nga Ministria e Shëndetësisë që sot prej orës 8 deri në orën 16… Kemi filluar të vaksinojmë pa marrë parasysh se a vinë nga jashtë udhëtarët apo janë punëtorë, të stafit të aeroportit apo edhe banorë të tjerë që janë të interesuar, lirisht mund ta marrin vaksinën.
Ne si ekip mobil kemi pasur edhe jashtë aeroportit, kemi pasur në Bashkësinë Islame në Obiliq në Xhaminë e Obiliqit, kemi pasur edhe në punkte në Breznicë, në Milloshevë, në Siboc, Dardhishtë e kemi edhe Mazgitin e Sipërm, por edhe në kampin e Plemetinit të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas", ka deklaruar Hoti-Hashani.

Shumica e qytetarëve kanë thënë se nuk kanë marrë ndonjë informacion nga policia apo aeroporti se mund të vaksinoheshin aty.
Informacione për mundësinë e vaksinimit nuk kanë dhënë as altorparlantët e aeroportit gjatë pasdites. Ministria e Shëndetësisë ka thënë se opinioni ka qenë i njoftuar dhe se aeroportit i kanë dhënë udhëzime për shenjëzim. Procesin e vaksinimit nga ana tjetër e ka vlerësuar të suksesshëm, pasi që janë rregulluar disa mungesa të së kaluarës.

"Nuk është vetëm Aeroporti ku do të vaksinohet me ekipe mobile, sepse ditë më parë ka pasur edhe në sheshe dhe do të ketë sërish, pastaj në qendra tregtare, qendra kulturore, dje ka pasur në disa xhami, e së shpejti do të ketë edhe në shkolla ekipe mobile. Me një fjalë, janë te gjitha mundësitë dhe ndonjë pengesë aty-këtu teknike që mund të shfaqet si kudo gjatë administrimit të procesit dhe fakti që nuk flitet për mungesë të vaksinave, nuk flitet për terminë, nuk flitet për pritje për t'u vaksinuar, nuk flitet për përzgjedhje të vaksinës, sepse edhe kjo mund të bëhet dhe nuk flitet për ndonjë kategori të caktuar që nuk mund të vaksinohet, dëshmon për suksesin e këtij procesi. Prandaj, MSh-ja i inkurajon qytetarët e pavaksinuar që ta bëjnë këtë sa më parë dhe mediat të mbështesin procesin, sikur kanë bërë deri tani.”

ANP Adem Jashari e ka udhëzuar KOHËN që pyetjet t'ia drejtojë MSh-së e Policia e Kosovës ka thënë se nuk ka qenë e njoftuar se do të ketë vaksinim.

Që nga fillimi i nëntorit, vaksinimi u mundësohet të gjithë personave mbi 12 vjeç, pavarësisht se a mbajnë apo jo shtetësi të Kosovës. Vaksinimi është paralajmëruar se do të nisë edhe nëpër shkolla.