Arbëri

Krasniqi: Votat me postë për Dragash të manipuluara, jemi ankuar në PZAP

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është shprehur i bindur se votat e ardhura me postë për komunën e Dragashit janë të manipuluara.

Krasniqi në “DESKU” të KTV-së bëri me dije se tashmë ata kanë ushtruar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

“Është evidente tashmë ajo që ka ndodhur, që në KQZ, edhe në QNR, besoj edhe në PZAP e tutje. Votat që kanë ardhur nga diaspora kanë qenë me të vërtetë të manipuluara dhe meritojnë të trajtohen si të tilla. Tashmë është bërë ankesa në PZAP. Shumica e këtyre evidencave janë publike”, deklaroi i pari i PDK-së.

Krasniqi tutje u shpreh se kjo që ka ndodhur në Dragash, ka qenë një mënyrë e organizuar për të bërë manipulime, derisa ka shtuar se në qoftë se PZAP-ja e refuzon ankesën e tyre, ata do t’i drejtohen edhe Gjykatës Supreme.

“Për fat të keq, në Dragash është dëgjuar në dy-tre javët e fundit për një organizim të tillë dhe pastaj u verifikua nga dëshmitë evidente. Fletëvotimet janë të shtypura nga i njëjti vend, dorëshkrimi i njëjtë në të gjitha zarfat. Ka një paqartësi se si disa prej fletëvotimeve që janë nisur nga adresa të caktuara në Austri përmbajnë fletëvotime të qytetarëve që jetojnë në Gjermani apo gjetiu. Ka qenë një mënyrë e organizuar, e strukturuar, pa dashur që të komentojë mundësinë që edhe ata qytetarë kanë votuar me dëshirën e tyre. Problemi është që vota individuale dhe e fshehtë, sipas Kushtetutës, nuk mund të jetë e transferueshme. Kjo është shkelja që është evidentuar tani. Tani i mbetet PZAP-së, dhe në qoftë se është nevoja edhe Supremes që ta thotë verdiktin final".

Sipas rezultateve preliminare të së dielës nga KQZ-ja, në Dragash udhëhiqte Shaban Shabani i PDK-së me 5.648 vota, 47 më shumë se kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini. Por pas numërimit të votave nga diaspora, Xheladini kishte marrë 244 vota, ndërsa Shabani vetëm 54, duke bërë që rezultati të përmbyset dhe kësisoj, PDK-ja dhe LDK-ja kanë numër të barabartë të komunave të fituara, nga 8 sosh.