Arbëri

Harta e Evropës skuqet nga shifrat me COVID-19, rrezik edhe në Ballkanin Perëndimor

Descriptive Text

Shumë vende në Evropë janë duke u përballur me një valë të re të infektimeve me COVID-19. Në Gjermani në vazhdimësi janë duke u shënuar shifra rekord të infektimeve me koronavirus. Kancelarja Angela Merkel ka thënë se Gjermania është duke parë valën e katërt “dramatike” të COVID-19, pas një takimi krize me liderët rajonal. Brenda një dite janë infektuar 52.826 persona të mërkurën duke shënuar një rekord të ri.

Belgjika në anën tjetër ka paralajmëruar masa të reja si përpjekje për të mënjanuar mbylljen.

“Të gjitha sinjalet janë të kuqe”, ka thënë kryeministri Alexander De Croo, duke bërë thirrje që të minimizohen kontaktet personale mes njerëzve. “Harta e Evropës shumë shpejt për bëhet e kuqe, dhe ne jemi në të njëjtën gjendje”.

Austria e cila vendosi bllokim për rreth dy milionë njerëz të pavaksinuar të hënën, raportoi shifra rekorde të mërkurën. Holanda gjithashtu raportoi raste rekord dhe e njëjta ka sjellë tashmë bllokim të pjesshëm.

Suedia po prezanton një leje vaksinimi kundër Covid nga 1 dhjetori për herë të parë për koncerte dhe ngjarje të tjera në ambiente të mbyllura që përfshijnë më shumë se 100 persona. “Ju që jeni të pavaksinuar nuk mund të vazhdoni normalisht; kontributi juaj më i rëndësishëm është të vaksinoheni," tha ministrja e Çështjeve Sociale Lena Hallengren, e cila pranoi se masa ishte e ashpër, por tha se Suedia nuk ishte e izoluar nga pjesa tjetër e botës.

Ndërkaq kryeministri çek Andrej Babis tha se kushdo që nuk është i vaksinuar do të ndalohet të marrë pjesë në ngjarjet publike ose shërbimet publike. Nga e hëna testet negative nuk do të jenë të mjaftueshme.

Sllovakia është duke paralajmëruar masa pasi të mërkurën u raportuar 8342 raste të reja.

Me raste në rritje janë duke u ballafaquar edhe disa vende të Ballkanit Perëndimor.

Vetëm në 24 orët e fundit në Shqipëri kanë vdekur 10 persona dhe janë regjistruar 616 raste pozitive. Që nga shpërthimi i epidemisë me koronavirus në Shqipëri janë regjistruar 194.472 raste pozitive, prej tyre 183.078 janë shëruar, 8.380 janë aktive, ndërsa betejën me sëmundjen infektuese e kanë humbur 3.014 pacientë.

Ndërkaq edhe në Serbi numri i rasteve është i lartë. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 56 të vdekur dhe 3600 raste të reja.

Në Maqedoni vetëm të mërkurën kanë vdekur 13 persona dhe janë regjistruar 476 raste të reja. Mali i Zi dje ka raportuar 403 raste të reja të infektimit me COVID-19, derisa kanë vdekur 10 persona.

E Kosova në anën tjetër po vazhdon të raportojë për numër të vogël rastesh të infektimit dhe të të vdekurve me COVID-19.

Të mërkurën Kosova ka regjistruar 17 raste të reja dhe asnjë rast të vdekjes. Në nivel vendi numri i rasteve aktive është 405. Vendi vazhdon të ketë disa masa obligative siç është bartja e maskës, kufizimi i orarit të gastronomisë deri në orën 23:00 dhe kufizimi i lëvizjes nga ora 00:00 deri në orën 5 të mëngjesit.