Arbëri

Afganët e quajnë parajsë Shqipërinë, por mendjen e kanë në Kanada

Të gjithë ata janë me dy mendje, duke e pritur vizën për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në resortin turistik “Kolaveri” në plazhin e Golemit, 50 kilometra në perëndim të Tiranës. Të gjithë kanë një ëndërr të përbashkët: të shkojnë nga Shtetet e Bashkuara a në Kanada, ku shpresojnë ta ndërtojnë një të ardhme më të mirë

Një mësues afgan e quan Shqipërinë “parajsë”, derisa ish-zyrtari i Qeverisë afgane nuk mjaftohet me “lirinë” që ekziston në vendin e vogël të Ballkanit Perëndimor, ku ata u shpërngulën pasi talebanët morën atdheun e tyre.Të tjerët janë të zhytur në mendime. Një grua afgane, e cila i mësonte vajzat jetime, e vajton fundin e projektit të saj dhe fatin

ish-studenteve e grave që tani jetojnë nën rregullat e reja talebane, kurse një biznesmeni i mungon kompania e tij në vendlindje.

Të gjithë ata janë me dy mendje, duke pritur vizën për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në resortin turistik “Kolaveri” në plazhin e Golemit, 50 kilometra në perëndim të kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës.

Të gjithë kanë një ëndërr të përbashkët: të shkojnë në Shtetet e Bashkuara a në Kanada, ku shpresojnë ta ndërtojnë një të ardhme më të mirë.

Resorti strehon 571 të shpërngulur afganë, të nxjerrë nga vendi i tyre “i frikshëm dhe kaotik”, ashtu siç e përshkruan Afganistanin Fareidoon Hakimi, i cili është bërë udhëheqës i komunitetit.

Një grup prej 125 afganësh, përfshirë gjykatës, çiklistë, gazetarë, prezantues televizivë, aktivistë të të drejtave njerëzore, anëtarë të familjeve të diplomatëve afganë, artistë, oficerë të zbatimit të ligjit e shkencëtarë, zbarkuan në Shqipëri më 13 tetor, me ndihmën e IsrAID, organizatë izraelite e ndihmës.

Shqipëria “parajsë”

Shqipëria po i strehon mbi 2000 afganë të shpërngulur, të gjithë të vendosur në hotele dhe resorte. Ata mendohet të rrinë aty për një vit, derisa autoritetet e Shteteve të Bashkuara ta përfundojnë procesin e vizave të tyre speciale të emigracionit.***

“Shteti i Shqipërisë në botë, është si toka e parajsës,” ishte pjesë e një poezie që një poet e mësues 61-vjeçar e kishte shkruar dhe e recitoi kur i vizituan gazetarët e Associated Press. “Ata shpëtuan shama’il dhe të gjithë ne”, përfundon ai, duke iu referuar një grumbull tregimesh të frikshme nga jeta e profetit islamik Muhamed, përpiluar nga një studiues i shekullit 9-të.

Hakimi ka theksuar se të gjithë në resort tani mund të lutën në paqe, ose të shkojnë në ndonjë xhami të afërt, sidomos të premteve. Nga 2.8 milionë banorët e Shqipërisë, mbizotërojnë myslimanët, të cilët jetojnë në harmoni me komunitetet ortodokse dhe katolike.

Hakimi 36-vjeçar, ish-këshilltar i administratës publike në provincën afër Kabulit, foli me orë të tëra rreth sagës se si u larguan nga Afganistani.

“Njerëzit kurrë s’kanë pritur që kjo të ndodhë kaq menjëherë”, ka theksuar ai, duke e komentuar tërheqjen e papritur të trupave amerikane nga Afganistani.

Bashkë me gruan e tij, djemtë 2 e 5 vjeç, si dhe me nënën e tij, Hakimi arriti në pjesën veriore të Afganistanit, ku tentuan të kalonin në Taxhikistan. Ishin rreth 125 persona si ai, të cilët talebanët provuan t’i ndalnin. Pas shumë ditësh, shkuan në aeroportin Mazar-i Sharif, fluturuan për në Taxhikistan dhe atje duhej të prisnin brenda terminalit për tre ditë, derisa Shqipëria t’u ofronte viza dhe IsrAID të merrnin një aeroplan me qira.

“Mund të flemë të qetë, pa frikë”

Në resort, Hakimi dhe 17 udhëheqës tjerë të zgjedhur, po punojnë pa ndalë të sigurojnë ushqim, argëtim, mbështetje psikologjike dhe nevoja të tjera bazë për komunitetin e zhvendosur. Ai dhe të tjerët po e shijojnë lirinë, që u është dhënë dhe e vlerësojnë ngrohtësinë e stafit shqiptar.

“Vështirë se do ta kalonim këtë moment pa zemërgjerësinë e tyre”, ka shpjeguar Hakimi.

Në resortin e plazhit të rrethuar e të mbrojtur, fëmijët luajnë derisa më të moshuarit qëndrojnë në bar-kafe, ecin përreth e shëtisin nëpër plazh. Një grua e re afgane mëson në llaptop. Shumë të tjerë bëhen në grupe që ta kalojnë ditën në Tiranë ose në qytetin e Durrësit.

Kur Mohammad Javed Khan, i cili ishte nëpunës në parlamentin e Afganistanit, u pyet se çfarë gjetën në Shqipëri, përgjigja e tij e menjëhershme ishte: “Lirinë.”

“Lirinë që çdo individi i nevojitet; pushim, gjumë”, ka vënë në dukje ai. “Mund të flemë të qetë, pa frikë”.

Siguria dhe frika për anëtarët e familjes ishin shqetësimet më të mëdha që kishin afganët kur ishin për rrugë.

Khan, i cili kishte arritur më gruan dhe vajzën 3-muajshe në Shqipëri, ka thënë se më në fund është qetësuar.

“Askush s’do të na e marrë vajzën”, ka vazhduar 27-vjeçari. “Askush nuk do të kryejë sulme vetëvrasëse me bomba… U larguam ngaqë s’kishte siguri”.

Leqa Fahimit, e cila erdhi me burrin, vajzën 9 dhe djalin 5 vjeçar, i mungon shtëpia dhe dëshiron të kthehet. Në Afganistan , ajo punonte me një organizatë ndërkombëtare jo-qeveritare që kujdesej për vajzat jetime.

“U mësova atyre për mirësinë, shoqërinë, vetëbesimin, se si t’i ndajnë me botën historitë e tyre,” ka treguar Fahimi, duke shtuar më një zë të trishtë: “Kishim shumë aktivitete për vajzat. E tani… Nuk e di as ku janë”.

Të larguarit përpiqen të jenë sa më të zënë gjatë ditës, duke i ndihmuar stafit të resortit, duke organizuar aktivitete sportive e argëtuese për fëmijët.

Hakimi është duke pritur konfirmimin për aplikimin e vizave speciale nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara.

“Të gjithë ne kemi gjëra shumë të mira këtu nga ato që i humbëm në atdheun tonë,” ka sqaruar ai. “Mirëpo, dua të shkoj në Kanada, atje ku është vëllai e motra ime”.

E njëjta vlen edhe për Fahimin, mësuese-poete, si dhe për nëpunësin Khan.

“Do të na pëlqente të shkonim në Kanada ngase i ka rregulloret më të mira për emigracion dhe një pjesë e familjes time jeton atje”, ka përfunduar Khan.

Përktheu: Blerta Haxhiu