Arbëri

Gashi: Elektorati është emancipuar, nuk pret më shumë për të ndëshkuar partitë

Zgjedhjet lokale të këtij viti dëshmuan më shumë se kurrë se ka emancipim të elektoratit. Ky është vlerësimi i gazetarit të Grupit KOHA, Fitim Gashi.

Ai në një intervistë në emisionin “60 Minuta”, tha se elektorati më nuk pret gjatë për të ndëshkuar partitë. Sipas tij, këtë më së miri e kuptoi edhe partia në pushtet – VV-ja.

“Më elektorati nuk pret 10 vjet për të ndëshkuar partitë, nuk është më ai elektorat, është emancipuar, është pjekur shumë dhe ndëshkimi vjen shumë shpejtë. Ndoshta ishte një mesazh për partinë në pushtet”, tha Gashi.

Duke komentuar kthesën e madhe në Prishtinë, ku Përparim Rama i LDK-së bëri përmbysje të rezultatit të balotazh ndaj Arben Vitisë së VV-së, tha se janë një sërë faktorësh që çuan në këtë rezultat.

Sipas tij, rol kyç kanë luajtur koalicionet e heshtura e edhe vonesa zyrtarizimit të kandidaturës së Vitisë nga ana e VV-së.

“Në bazë të votave që ka marrë Rama, ai ka marrë votat e Ismailit. Ka pas një fushatë anti-VV, por nuk është kjo arsye e vetme. Ndoshta kanë luajtur rol edhe koalicionet e heshtura, mbetet të shihet nëse ka pasur diçka me koalicionet paszgjedhore”, tha ai.

Gashi ka komentuar edhe ngritjen e PDK-së në këto zgjedhje që ka dalë e para nga partitë shqiptare me nëntë komuna të fituara.

Sipas tij, rol kyç luajti reforma që i u diktua kësaj partie, por edhe LDK-së pas humbjes së thellë në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit.

“Pos reformës, duke mos qenë në pushtet, këto parti u koncentruan herët dhe totalisht në nivel komunal. Pastaj u vlerësua edhe profili i kandidatëve. Dhe kishte një përshtypje që VV-ja nuk kandidoi më të mirët nëpër komuna”, vlerësoi Gashi.