Arbëri

Votuesit nga diaspora vijnë për të votuar

Nga Baseli i Zvicrës e Hanoveri i Gjermanisë pasditen e së shtunës mbërritën një numër i madh i qytetarëve nga diaspora.

Ata thanë se do ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar.

Madje, disa prej tyre u shprehën se pikërisht shfrytëzimi i kësaj të drejte ishte arsyeja kryesore që i solli kësaj radhe në Kosovë.

“Në Komunën e Shtimes. Kam ardhur për votime, për të votuar. Do të votojmë ta kryejmë atë punën e qytetarit siç e ka. Fitoftë ai që është më i miri”, tha mërgimtari Ahmet Murtezi që tregoi se ka ardhur vetëm për të votuar. Vetëm dy ditë, vetëm për të votuar kemi ardhur.”

“Unë jam Avdullah Krasniqi, Komuna e Rahovecit. Kam ardhur ekstra për të votuar nga shtëpia, nga Araud”, tha Avdullah Krasniqi, mërgimtar nga Zvicra. “Nesër do të kthehem”.

E Raif Ramadani, mërgimtar nga Vitia ka thënë se shpreson të bëhet më mirë.

“Nga Smira e Vitisë, në Komunën e Vitisë. Do ta shfrytëzoj të drejtën për të votuar dhe shpresoj të bëhet diçka pak më mirë”, tha ai.

Njëjtë edhe Feti Cakolli, mërgimtar nga Gjermania ka thënë se ka ardhur vetëm për të votuar.

“Prej Hannoverit në Komunë të Prishtinës dhe do ta shfrytëzoj të drejtën për votim, për atë edhe kemi ardhur. Dy ditë, vetëm për votim kemi ardhur”, tha ai.

Mbi 1 mijë e 500 pako me vota nga diaspora ka pranuar edhe KQZ-ja. Sipas zëdhënësit të Komisionit, Valmir Elezi, ato do të hapen e verifikohen.

“Komisioni Qendror i zgjedhjeve ka pranuar 1.571 pako me të supozuara me fletëvotime. Procesi i verifikimit të tyre do të bëhet gjatë këtyre ditëve që Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Pra, KQZ-ja zakonisht i referohet si pako të supozuara me fletëvotime sepse ato dërgesa akoma nuk janë hapur dhe ne nuk e dimë nëse ato janë dërguar nga votuesit e regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe nëse brenda tyre zarfeve ka apo jo fletëvotime”, tha Elezi.

Si verifikimi, ashtu edhe numërimi i votave të diasporës, sipas KQZ-së, pritet të përfundojë gjatë javës së ardhshme.