Arbëri

KQZ-ja ka pranuar për balotazh 1,571 pako me fletëvotime nga jashtë

KQZ-ja ka pranuar për balotazh 1,571 pako me fletëvotime nga jashtë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka përfunduar procesi i votimit përmes postës për komunat në të cilat do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunave.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka bërë të ditur se janë pranuar 1,571 pako të pakove të me fletëvotime nga jashtë.

“Procesi i votimit përmes postës për komunat në të cilat mbahet raundi i dytë i Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave ka përfunduar të premten në mesnatë. Gjatë periudhës së votimit përmes postës, në periudhën 29 tetor - 12 nëntor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 1,571 pako të supozuara me fletëvotime”, ka thënë Ahmetaj gjatë mbledhjes së KQZ-së të shtunën.

Procesi i verifikimit të këtyre pakove do të fillojë ditën e diele e më pas ato do të dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Raundi i dytë i zgjedhjeve do të zhvillohet të dielën në 21 komuna të Kosovës. Komunat ku do të mbahen zgjedhjet për balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Podujeva, Kamenica, Drenasi, Dragashi, Istogu, Kaçaniku, Klina, Fushë-Kosova, Obiliqi, Rahoveci, Shtimja, Vitia, Vushtrria, Malisheva, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti.