Arbëri

Bizneset që nuk i sjellin dëm mjedisit, përparësi në Fondin për Garanci Kreditore

Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, do t’i trasnferohen 40 milionë euro si pjesë Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime (BEI) për Financimin e Projektit “Reagimi i Kosovës ndaj Pandemisë Covid-19 për NVM-të”.

Drejtori ekzekutiv i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), Besnik Berisha, ka thënë për Ekonomia Online se këto mjete do të ndahen për bizneset që do të kalojnë procesin e vlerësimit nga bankat financiare në Kosovë.

Bizneset duhet të aplikojnë për kredi në bankë. Nëse vlera e hipotekës/kolateralit të kredimarrësit të ardhshëm nuk është e mjaftueshme, banka mund të vendosë që ta kualifikojë biznesin dhe ta lëshojë atë kredi, duke shfrytëzuar garancinë e FKGK-së.

“Pjesa e 40 milionëshit që parashihet të dhurohet nga Qeveria e Kosovës nga Kredia prej Bankës Evropiane të Investimeve do të jetë për qëllim të rritjes së kapitalit Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, kapital ky që do të shërbej për mbështetjen e operacioneve bazë të Fondit e që është ofrimi i garancioneve kreditore për bankat partnere në sektorin financiar të Kosovës. Ky donacion do t’i ndihmojë ndërmarrjet mikro, të vogla edhe të mesme, gjatë procesit të rimëkëmbjes ekonomike, do të ndahet sipas Ligjit që është në fuqi dhe procedurave që Fondi Kosovar për Garanci Kreditore i ka në fuqi, secila bankë që është partnere e institucionin tonë, kalon përmes procesit të vlerësimit dhe si rezultat ndahen edhe limitet e garancioneve bankare. Përparësi nga FKGK-ja do të kenë kompanitë që nuk i sjellin dëm ambientit, të cilat ndjekin standardin e agjendës së gjelbër”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, mision i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore është të ndihmohen sektor që konsiderohen strategjik dhe që sjellin shtueshmëri në rritjen ekonomike të Kosovës.

“Ne do të mundohemi që kryesisht me këto fonde të mbështesim ndërmarrjet prodhuese, gratë në biznes, ndërmarrësit e reja start-up. Mirëpo do të ketë theks të veçantë, investimet që rrisin efikasitetin e energjisë dhe investimet që gjenerojnë energji nga burimet të ripërtërishme, kryesisht do më thanë nga energjia solare”.“…meqenëse Fondi mundohet të veproj kundrejt një përgjegjësie sociale, atëherë do të përkrahen investimet që nuk i sjellin dëm ambientit, për këtë arsyeje bankat që janë të pajtueshmëri me këto standarde, që do të munden të menaxhojnë riskun ambiental do të kenë përparësi”, është shprehur Berisha.

Sipas tij, FKGK-ja është angazhuar plotësisht për organizimin e sesioneve informuese për zyrtarët e bankave partnere, në mënyrë që t’i informojnë klientët për mundësitë që ky Fond i ofron për ta./EO