Arbëri

Shtëpia e Bardhë tallet me Trumpin për Kosovën

Descriptive Text

Shtëpia e Bardhë është tallur me ish-presidentin amerikan Donald Trump pasi deklaroi se “i dërguari i tij ambasador” për të mbikëqyrur marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke anashkaluar administratën aktuale.

Trumpi e pati emëruar Richard Grenellin të dërguar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi. Më 2020, dy shtetet arritën marrëveshje në Washington. E thirrur si marrëveshje ekonomike, ajo po ashtu solli moratoriumin që Kosova të mos kërkojë anëtarësime në organizata ndërkombëtare për një vit, ndërsa Serbisë që të mos vazhdojë fushatën e çnjohjeve.

Të enjten, Grenelli vizitoi pikën kufitare të Merdarit. Këtë Trumpi e reklamoi në uebfaqen e tij duke përsëritur atë që marrëveshjet e arritura nën administratën e tij kanë sjellë paqe.

“Popujt e mëdhenj të Serbisë dhe Kosovës kanë kapërcyer pengesa të jashtëzakonshme në ndjekjen e tyre për normalizim ekonomik. Marrëveshjet që administrata ime i ndërmjetësoi janë historike dhe nuk duhen braktisur, janë në pyetje shumë jetë. Rajoni është tepër i rëndësishëm dhe popujt kanë pritur kohë shumë të gjatë që krejt kjo punë të hidhet mënjanë. Sot, i dërguari im, ambasadori Ric Grenell, e vizitoi kufirin Kosovë-Serbi për ta nxjerrë në pah këtë marrëveshje të rëndësishme. Njëjtë sikurse kemi dëshmuar në Lindjen e Mesme me Marrëveshjet Abraham, paqja dhe normalizimi ekonomik janë të mundur, por nevojitet përpjekje e sinqertë dhe udhëheqje e palëkundur. Paqja është e mundur, mos u dorëzoni – në pyetje është prosperiteti afatgjatë i këtyre dy kombeve!”, thuhet në komunikatën e Trumpit, të lëshuar nga zëdhënësi i tij.

Ndërkaq nga Shtëpia e Bardhë kjo deklaratë është kthyer në shaka.

“Përtej imagjinatës së tij shumë kreative, Donald Trumpi s’është më president dhe nuk ka asnjë ‘ambasador’ që përfaqëson Shtetet e Bashkuara”, ka thënë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë në përgjigjen për të komentuar statusin e Trumpit, raporton "DailyMail".

Me publikimin e Trumpit u morën edhe disa media në Amerikë. Ata e konsideruan këtë si “diplomaci në hije”.