Arbëri

Haskuka: Totaj po i ikën ballafaqimit sepse nuk ka fakte

Kandidati për kryetar të Prizrenit nga radhët e VV-së, Mytaher Haskuka, ka thënë se kundërkandidati i tij nga PDK-ja, Shaqir Totaj, po i ikën ballafaqimit me të sepse nuk ka fakte për keqpërdorimet që Totaj pretendon se kanë ndodhur gjatë qeverisjes katërvjeçare në këtë komunë.

Haskuka këto komente i bëri në “DESKU” të KTV-së, pasi Totaj, i cili kishte konfirmuar 12 ditë më parë se do të ishte pjesë e debatit për Prizrenin në KTV dhe e rikonfirmoi përgjigjen pozitive edhe dy ditë më parë, anuloi pjesëmarrjen vetëm gjatë ditës së sotme.

“Nuk ka pasur fakte për ato që ka thënë zakonisht në emisionet ku jemi përballur. E ka parë që debatet nuk po kontribuojnë për atë, andaj i ka ikur debatit. Debatet janë të mira edhe për qytetarët, që të shohin çfarë ka ndodhur në katër vitet e kaluara dhe çfarë do të ndodhë në katër vitet e ardhshme. Por dikush po i ik ballafaqimit”, deklaroi Haskuka.

Në zgjedhjet e raundit të parë në Prizren, Mytaher Haskuka mori 23.504 vota apo 40.43 për qind, kurse Shaqir Totaj mori 18.078 vota apo 31.10 për qind. Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 14 nëntor.