Arbëri

Kronika Zgjedhore/ AAK-ja premton vazhdim projektesh në Rahovec e Gjakovë, në Istog fund të keqqeverisjes

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje qytetarëve të Gjakovës që ta votojnë kandidatin e këtij subjekti për të parin e komunës, Ardian Gjini. Ndërsa vetë Gjini ka premtuar vazhdim të projekteve të nisura gjatë mandatit të parë

Mbështetje kandidatëve që garojnë për kryetarë në komunat e rajonit të Dukagjinit u ka ofruar të enjten kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Gjakovës që ta votojnë kandidatin e këtij subjekti për të parin e komunës, Ardian Gjini. Ndërsa vetë Gjini ka premtuar vazhdim të projekteve të nisura gjatë mandatit të parë.

“Në këta katër vjet që po i lëmë pas, Gjakova ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm. I kemi tejkaluar të gjitha parashikimet. Të gjitha parashikimet, edhe të skeptikëve, edhe të dashamirëve. E kemi bërë Gjakovën njërën prej komunave më vibrante në Kosovë. Unë ju ftoj që këtë të diel të dilni të gjithë dhe të votoni. Të mos e ndalim këtë ritëm, ndërsa unë ju premtoj që edhe katër vjetët që vijnë, do të jem me ju për çdo ditë. Do të jem këtu, do të punoj edhe më me përkushtim, do të bashkëpunoj me secilin prej jush, që ta bëjmë Gjakovën ashti siç duam të gjithë”, është shprehur Gjini.

Në Istog, kandidati i kësaj partie për kryetar, Bekë Berisha, pas 14 nëntorit premtoi ndryshim. “Do t’u japim fund keqpërdorimeve, hajnisë mbi 20-vjeçare të një grupi shfrytëzues që e kanë ngufatur pushtetin vite me radhë. I njëjti grup, jo vetëm që ka keqqeverisur, por duke vjedhur, ka vjedhur edhe shpresën, edhe të ardhmen e secilit qytetar të Istogut. Tash nuk u ka mbetur asgjë”, ka theksuar Berisha.

Ndërkaq për Smajl Latifin, i pari i AAK-së ka thënë se është njeriu më i mirë për ta udhëhequr Rahovecin.

“Smajlin edhe sot e shoh të vendosur sa s’ka, në mbrojtje të interesit kombëtar e shtetëror, me Rahovecin gjithmonë kryefjalë të angazhimit të tij! Rahoveci ka plot njerëz të mirë, por Smajli është më i miri për të qenë në krye të tij!”, ka thënë Haradinaj.

Kreu i AAK-së ka lavdëruar po ashtu punën e kandidatit të kësaj partie, Agron Kuçi, i cili garon për të parin e Junikut në zgjedhjet e balotazhit më 14 nëntor.