Arbëri

Seanca për rrëzimin e Qeverisë Zaev, deputeti i Lëvizjes Besa vendos të mos marrë pjesë

Deputeti i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi, ka vendosur të mos marrë pjesë në seancën për rrëzimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duke ngjallë kështu reagime nga partitë opozitare.

Rexhepi në një postim në Facebook ka thënë se nuk do të marrë pjesë në seancën.

“Një nga kauzat kryesore të mija dhe subjektit politik Lëvizja Besa që i përkas, ka qenë integrimi euro-atlantik i RMV. Duke pasur parasysh momentumin politik, pas shtyrjes të dorëheqjes nga kryeministri Zaev, për hir të procesit dhe sinjalet e forta nga partnerët strategjik SHBA dhe shtetet e BE-së që më janë komunikuar nga përfaqësues të lartë diplomatik, se në muajin dhjetor vendi ka gjasa të mëdha të marrë datë për fillim e bisedimeve për anëtarësim në BE, vendosa që mos të marrë pjesë në seancën parlamentare ku duhej të merrej vendim me të cilin do vihet në pikëpyetje ky pikësynim jetik kombëtar dhe shtetëror. Si politikan dhe deputet i përgjegjshëm, mora këtë vendim jo të lehtë duke i vënë interesin e popullit dhe shtetit në radhë të parë. Shteti në këtë periudhë të rëndësishme nuk ka nevojë për krizë politike dhe zhytje në ujëra të turbullta me plot të panjohura”, ka Rexhepi në Facebook.

Në seancë kanë qenë prezent 60 deputetë të opozitës. Me mospjesmarrjen e Rexhepit seanca pritet të dështojë.

Deputeti dhe lideri i së majtës Dimitar Apasiev, ka shkruar në Facebook, duke parë mungesën e deputetit të Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi.

“E fuqishme. Kidnapuan deputet duke menduar se ashtu nuk do të bien”, ka shkruar Apasiev, raporton Alsat. 

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka folur në lidhje me mospjesëmarrjen e deputetit të Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepit në seancën për rrëzimin e Qeverisë, shkruan Alsat.

Mickovski, ka thënë se tani po e mëson se çka ka ndodhur, sepse nuk ishte i pranishëm, teksa ka krahasuar Kastriot Rexhepin me Amdi Bajramin.

“Ja e shihni, tani po vijë se isha në Fakultet, këtu po e mësoj se cka është duke ndodhur. Bashkohorit i qoftë i lehtë dheu, Amdi Bajram!”, ka thënë Mickovsi para mediave.

Zaev ka dhënë dorëheqje pak javë më parë pas rezultatit jo të mirë të partisë së tij LSDM në zgjedhjet lokale.