Arbëri

Osmani në SHBA potencon tendencat destabilizuese të Serbisë në Ballkanin Perëndimor

Descriptive Text

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar në SHBA me zyrtarë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe me zyrtarë të Departamentit të Shtetit.

Osmani gjatë takimit ka theksuar rëndësinë e marrëdhënies së fuqishme mes Kosovës e SHBA-së.

Ndërsa ajo ka folur edhe për zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor, duke potencuar tendencat destabilizuese të Serbisë, por edhe prezencën gjithnjë e më të rrezikshme të Rusisë e Kinës.

Osmanit në anën tjetër i është konfirmuar mbështetja për Kosovën nga administrata e presidentit Joe Biden.

“Në këtë aspekt, ajo bëri thirrje për mbështetje të SHBA-ve në luftimin e këtij ndikimi të rrezikshëm dhe angazhimin për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Për më tepër, Presidentja theksoi përkushtimin e plotë të Kosovës për angazhim aktiv në dialogun Kosovë-Serbi, i cili siç është thënë edhe nga Presidenti Biden, duhet të jetë i përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Presidentja Osmani theksoi se e ardhmja euro-atlantike e Kosovës mbetet përherë objektiv strategjik, ndaj potencoi se në këtë drejtim Kosova sërish ka nevojë për mbështetjen e SHBA-ve drejt konsolidimit të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës Ajo mori konfirmim për mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve dhe përkushtimin aktiv për arritjen e synimeve të përbashkëta. Në vazhdën e takimeve të ditës së sotme, Presidentja Osmani do të takohet edhe me nënsekretaren e shtetit, znj.Victoria Nuland si dhe me zyrtarë të tjerë të Departmentit Amerikan të Shtetit”, thuhet nga Presidenca.

Osmani ka takuar sot edhe kryeshefin ekzekutiv të Korporatës Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Mahmoud Bah, ku u rikonfirmua partneriteti i fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe MCC-së. Në takim me Bah, Presidentja Osmani ka vlerësuar rolin dhe punën e MCC-së në Kosovë në promovimin e qeverisjes së mirë, sundimin e ligjit, si dhe avansimin e sektorit të energjisë, si parakushte për zhvillimin ekonomik në vend. Presidentja Osmani shprehu gatishmërinë e institucioneve për vazhdimin e bashkëpunimit. Në veçanti, Presidentja Osmani ka vlerësuar gjithashtu edhe vendimin e SHBA-së për ndarjen e 200 milion eurove për Kosovën në kuadër të MCC-së, duke theksuar se ky vendim do të ketë ndikim të drejtpërdrejt edhe në performancen ekonomike në vend.