Arbëri

Të shpërfillur nga shteti, pacientët me kancer barnat i blejnë me paratë e socialit

Përveç me sëmundjen e kancerit, një e moshuar e intervistuar nga KOHA, përballet edhe me mungesë të barnave të Listës Esenciale në Klinikën e Onkologjisë.

Nga muaji maj kur është diagnostikuar me kancer një pjesë të barnave ajo i ka paguar vetë. E ka lavdëruar stafin e kësaj klinike për kujdesin, por barra e shpenzimeve që shteti nuk po arrin t’ia mbulojë, sipas saj, është e rëndë.

“Barnat sot kushtuan 115 euro. Herën tjetër kam paguar 65 euro, 45 euro. I kam faturat krejt, por i kam lënë në shtëpi”, ka thënë e moshuara.

Kushtet financiare të pacientes nuk janë të mira. Paratë e ndihmës sociale shpesh herë i duhet t’i përdorë për terapi.

“Një vëlla e kam dhe ai tash del në pension. Një social e marrë qe besa prej 75 euro se e kam një vëlla të sëmurë e i marr që e këqyri. Ku me i marr parët diku tjetër”, tha pacientja.

Edhe pacientë të tjerë dilnin të hënën nga kjo klinikë, pasi kishin blerë vetë barnat për terapi. Familjari i njërit nga pacientit rrëfeu se si u detyruan të sjellin barna në QKUK në vlerë të 100 eurove.

“Terapinë që na kanë dhënë nuk patën, u dashtë më dalë me i ble....101.5 euro”, tha një pacient.

Për t’i mbuluar këto shpenzime, pacienti thotë se po ndihmohet nga rrethi i gjerë i familjes.

“E papërballueshme është, por na janë bashkangjitur familjarët e po na ndihmojnë. D.m.th. mjerë ai që s’ka. Ai që ka nuk e ka vështirë, por dikush që ka social me 80 euro nuk mundet me ia dalë”, shtoi ai.

Përmbushja e Listës Esenciale është sfidë e secilës qeveri.

Qeveria Hoti e pati ulur buxhetin për barna për rreth 50 për qind. Në rishikim, Qeveria Kurti pati shtuar buxhetin për 8 milionë euro dhe 3.7 milionë euro që janë transferuar para disa ditësh, por të pamjaftueshme për plotësimin e të gjitha nevojave.