Arbëri

Hyseni: Kosova asnjëherë nuk ka qenë më e izoluar në rrafshin ndërkombëtar

Descriptive Text

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ka thënë se Kosova asnjëherë që nga paslufta nuk ka qenë më e izoluar në rrafshin ndërkombëtar.

Hyseni për këtë ia ka vënë fajin ardhjes në pushtet Albin Kurtit e Vjosa Osmanit.

“Diplomacia Amerikane dhe politika e saj e ambiguitetit të qëllimshëm ndaj Kosovës dhe politikës së saj të rrezikshme të vetizolimit. Asnjëherë, që nga shpallja e pavarësisë, Kosova nuk ka qenë më e izoluar në rrafshin ndërkombëtar se sa vitin e fundit, ose me saktësisht, që nga ardhja në krye të shtetit e binomit Kurti-Osmani”, ka shkruar Hyseni në Facebook.

Sipas tij, mosftesa e Kosovës nga SHBA-ja në Samitin e Demokracisë duhet ta shqetësojë shumë Kosovën.

“Janë shenja të cilat, po nuk i lexuam saktë, mund të prodhojnë konsekuenca nga më të ndryshmet. Mbase është përtyp shumë ajo thënia, ‘çdo gjë ndodh për një arsye’, dhe rrjedhimisht jam i detyruar t’i hedh një sy asaj që ka ndodhur ose nuk ka ndodhur gjatë vitit të fundit. Paraqitjet skandaloze të presidentes, kryeministrit dhe ministres së Jashtme të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe forume tjera ndërkombëtare, në të cilat predominon portretimi i Kosovës si vend i krimit dhe korrupsionit, duke pretenduar se këta janë të dërguarit e Zotit për ta ndryshuar këtë, janë mirëpritur nga kundërshtarët dhe kontestuesit e pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë që përkrahësit dhe sponsorizuesit e pavarësisë së Kosovës zihen ngushtë dhe disi ‘në faj, sepse paskan ndihmuar krijimin e një shteti “monstër”’ A është mohimi i vet qenies së Kosovës dhe bllatosja e saj, prioritet i politikës së jashtme të binomit Osmani-Kurti, të cilët, me votën tuaj qytetarë të nderuar të vendit tim dhe me votën e deputetëve të zgjedhur nga ju, kanë ardhur në krye të shtetit tonë të dashur! Përgjigjen në këtë pyetje duhet ta ipni JU!”, ka shkruar Hyseni.