Arbëri

Komisionerët do të zëvendësohen aty ku ka pasur rinumërime

Pakujdesia e mungesa e vëmendjes së komisionerëve fajësohet nga anëtarët e KQZ-së si arsye për rinumërimin e 291 vendvotimeve. Me votat e të gjithë anëtarëve prezentë, është aprovuar edhe zëvendësimi i trupave komunale të zgjedhjeve në komunat ku ka pasur shpërputhje për të cilat është dashur të ketë rinumërim për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale

Kritika ka pasur gjatë së premtes ndaj komisionerëve e këshillave komunalë zgjedhorë nga anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Njëkohësisht, me tetë vota, anëtarët e KQZ-së kanë votuar për emërimin e komisionerëve të rinj në vendvotimet ku ka pasur rinumërime.

Ata u kanë bërë thirrje komisionerëve dhe anëtarëve të komisioneve komunale zgjedhore për kujdes dhe vlerësim të secilës votë.

“Ne kemi kërkuar që çdo vendvotim që përcillet me parregullsi, pranohet në KQZ, duhet të evidentohet e të tregohen shkaqet. Edhe ata komisionerë, shumë mirë është që s’janë krejt të Vetëvendosjes, se po të ishin të Vetëvendosjes, ndoshta s’do të guxoja të thosha kështu, ata komisionerë që e kanë përcjellë një vendvotim të tillë, me mangësi të tilla të mos jenë më komisionerë”, ka thënë anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi.

Ndërsa Arianit Elshani nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës ka theksuar se një votë e vetme shpesh ka qenë përcaktuese.

“Vetëm një votë qoftë që një subjekt politik të marrë një këshilltar më shumë në komunë, qoftë që një kandidat të kalojë një kandidat tjetër në listën hyrëse pra në kuvendin komunal. Prandaj, konsiderojmë që të gjithë këta komisionerë të këtyre komunave në rundin e dytë të zëvendësohen, të largohen”, ka thënë ai.

KQZ-ja po ashtu ka aprovuar edhe listën e votuesve me nevoja të veçanta dhe ka zgjatur afatin për aplikim të tyre deri më 9 nëntor. Ndërsa përfundimtar është shpallur rezultati zgjedhor në Komunën e Kllokotit, pasi Supremja të premten e ka refuzuar një ankesë të Listës Serbe.