Arbëri

FMN: Diaspora dhe politikat e Qeverisë ndikuan në rimëkëmbjen ekonomike

Rimëkëmbja ekonomike në Kosovë, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka ardhur si rezultat i mbështetjes së madhe të diasporës dhe politikave që ka ndërmarrë Qeveria. Shefi i FMN-së për Kosovën, Gabriel Di Bella, ka dhënë disa rekomandime që do të ndikonin në rritjen e buxhetit, duke përmendur hartimin e Ligjit të pagave, zgjidhjen e çështjes së veteranëve dhe dizajnimin më të mirë të politikave sociale

Mbështetja e diasporës dhe politikat e ndërmarra nga Qeveria u vlerësuan nga FMN-ja si faktorët kyç që ndikuan në rimëkëmbje ekonomike të Kosovës. Shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën, Gabriel Di Bella, tha se remitencat gjatë gushtit të këtij viti janë rritur për rreth 40 për qind, mbështetje kjo që ka ndikuar në rritje të bruto-produktit vendor, rritja e të cilit deri në fund të vitit është paraparë të shkojë deri në 8 për qind.

Në zhvillimin ekonomik të këtij viti, sipas FMN-së, kanë ndikuar edhe politikat mbështetëse që janë marrë nga Qeveria për t’u dalë në ndihmë kompanive dhe ekonomive familjare. Politikat financiare të Qeverisë thuhet se kanë mundësuar po ashtu edhe rrjedhën e vazhdueshme kreditore që pritet të rritet për më shumë se 10 për qind deri në fund të vitit. Deri në fund të vitit, në 5 për qind pritet të shkojë edhe inflacioni, që vlerësohet se ka ardhur si pasojë e lëvizjes së çmimeve në karburante, por edhe në produktet ushqimore. Rritja e inflacionit mund të vazhdojë deri kah mesi i vitit të ardhshëm dhe më pas, sipas FMN-së, pritet që të fillojë të zbutet gradualisht.

FMN-ja e ka vlerësuar si të suksesshëm programin e Qeverisë për vaksinimin e popullatës, por tha se rreziku nga pandemia është ende prezent dhe se përveç që duhet të ketë ndarje buxhetore për shpenzime emergjente, nuk duhet anashkaluar as karantina nëse do të ketë rritje të rasteve.

“Rritja e shpejtë e rasteve në gusht është një kujtesë se mutacionet e reja të virusit vazhdojnë të jenë rreziku kryesor negativ. Në këtë drejtim, nëse do të rriteshin rastet shumë, nuk duhet anashkaluar mundësinë e një nevoje për një kufizim të lëvizjes duke marrë parasysh kapacitetet ende relativisht të ulëta në spitale”, ka thënë Di Bella në konferencën virtuale që ka mbajtur të premten.

Derisa ka përmendur mbështetjen sociale që së fundmi e ka dhënë Qeveria, Di Bella ka kërkuar transparencë dhe dizajnim më të mirë. Mes të tjerash ai ka përmendur edhe nevojën për hartimin e Ligjit për nivelizimin e pagave dhe zgjidhjen e çështjes së veteranëve të luftës.

“Fatura e pagave duhet të mbetet brenda kufirit ligjor. Projektligji i ri që rregullon pagat publike duhet të forcojë transparencën dhe drejtësinë e kompensimit, por krahas kësaj duhet të bazohet në koeficientet e pagave që nuk rrisin në mënyrë të paqëndrueshme pagat. Gjithashtu, certifikimi i veteranëve të luftës duhet të finalizohet dhe përfitimet e tyre duhet të izolohen nga rritja e pritshme e pagës minimale”, ka theksuar ai.

Gjatë kësaj konference, që ka mbajtur Di Bella, ka folur edhe për punësimin profesional të të rinjve, për çka ai beson që problemi qëndron tek arsimi dhe ndërlidhja e tij me tregun e punës. Sipas tij, rezultatet e Kosovës në testin PISA flasin për nevojë të përmirësimit emergjent të plan-programeve dhe përfshirje të trajnimeve për mësimdhënësit.

Në gjetjet e saj, FMN-ja thotë se ka pasur arritje në formalizimin e aktiviteteve ekonomike për të cilin ka lavdëruar punën e ATK-së dhe Qeverisë në këtë drejtim. Këtu vlerësohet se ka ndikuar edhe pandemia meqë për shkak të kufizimit të lëvizjes dhe rrezikut që kanosej shumica është dashur që pagesat t’i kryejnë në mënyrë elektronike. Për luftimin e informalitetit është sugjeruar fuqishëm edhe krijimi i Gjykatës Komerciale.

“Të caktohet një ndarje buxhetore për të rritur numrin e gjykatave komerciale. Mbajtja dhe konsolidimi i fitimeve në formalizimin e aktivitetit ekonomik kërkon gjykata komerciale më të shpejta dhe më efektive dhe përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar politikën dhe administratën tatimore, si dhe rritjen e pagesave elektronike”, ka thënë Bella.

FMN-ja ka theksuar edhe urgjencën e plotësimit të Bordit të Bankës Qendrore. Aty u përmend gjithashtu edhe reduktimi i ndotjes dhe nevoja për prodhim më të pastër të energjisë elektrike dhe sipas FMN-së, vendosja e filtrave në “Kosovën B”, në bashkëpunim me BE-në, mbetet prioritet në këtë fushë.

Këto gjetje janë bërë nga stafi i FMN-së pas disa hulumtimeve e diskutimeve virtuale me akterë të ndryshëm në Kosovë. Bazuar në këto gjetje, që janë prezantuar në konferencë të premten, stafi i FMN-së do të përgatisë një raport që, me miratimin e menaxhmentit, do t'i paraqitet Bordit Ekzekutiv të FMN-së për diskutim dhe vendim.