Arbëri

Tërheqja e 10% nga Trusti, vazhdon përplasja VV-LDK

Pavarësisht se qytetarët tashmë kanë tërhequr nga 10 për qind nga Trusti pensional, si pjesë e Ligjit për Rimëkëmbje, partitë politike po vazhdojnë të përplasen se a ka qenë vendim i duhur apo jo.

Në raportimin e Bordit dhe drejtorit të Fondit të Kursimeve Pensionale në Komisionin Parlamentar për Buxhet, u tha se likuiditeti financiar i fondit s’është rrezikuar nga vendimi. Aty u bë e ditur se Qeveria e Kosovës do t’ua rimburësojë qytetarëve rreth 120 milionë euro nga tërheqja e 10-përqindëshit prej Trustit.

Kryesuesi i Bordit të Trustit, Ruzhdi Morina, ka thënë se tërheqja e 10 përqindëshit ka qenë shqetësim i tyre, pasi mund të krijohet precedent dhe të ulë kredibilitetin e Fondit Pensional.

“Lejimi i tërheqjes së 10-përqindëshit e ulë kredibilitetin e Fondit Pensional. Ne nuk kemi çka ta komentojmë. Ka qenë një nga brengat tona që i kemi shprehur, pasi precedentët janë të rrezikshme. Këto janë mjete pensionale të deleguara të merren me arritjen e moshës së pensionimit. Si të tilla nëse këto mjete preken herë pas here për arsye nga më të ndryshmet, gjithmonë konstatimi mund të ngrihet si i tillë. Duhet të jemi të kujdesshëm me skemat pensionale”, ka thënë Morina para deputetëve.

Pavarësisht kësaj, drejtori i Trustit, Ardian Zalli, bëri të ditura shifrat e rimbursimeve që do të ndodhin. “200 milionëshi nuk është komplet që do të rimbursohet. Për rimbursime është deri 1000 euro të tërhequra, që i bie diku rreth 120 milionë euro”, ka njoftuar ai.

Ky rimbursim, sipas kryesuesit të bordit e zvogëlon ndikimin tek likuiditeti.

“Sa i përket likuiditetit, impakti i tij do të ishte më i madh nëse nuk do të ishte rimbursimi, kjo nuk e ka prekur likuiditetin e fondit si tërësi, por llogaritë individuale të secilit. Ligji e parasheh, por edhe Qeveria aktuale e ka me vendim planin e rimbursimit. Ky impakt nuk do të jetë shumë i madh. Këto mjete do të rimbursohen. Realisht, kjo e zvogëlon ndikimin tek likuiditeti”, ka deklaruar Morina.

Ish-kryeministri, tashmë deputeti Avdullah Hoti, duke mbrojtur vendimin për tërheqjen e 10 përqindëshit, u shpreh se ndikimi për kosto oportune është i vogël dhe i papërfillshëm.

“Prej 185 milionëve apo 200 milionë që janë tërhequr, rreth 120 milionë do të kompensohen në pesë vjetët e ardhshëm. Nëse e marrim një rast hipotetik të themi dikush se i ka tërhequr 800 euro dhe të themi se mosha e tij është 40-50 vjeç. Sa ndikohet pensioni i tij kur ai mbush 65-vjeç nga ky vendim që është marrë për tërheqje të mjeteve? Pasi në bazë të gjitha vlerësimeve që janë bërë kur është bërë ky vendim, personat që kanë tërhequr deri 1000 euro, ndikimi është aq i vogël sa është i papërfillshëm. Është me rëndësi që të kemi kujdes kur i klasifikojmë si kosto oportune të këtyre vendimeve”, ka thënë ai.

E me një konstatim të tillë nuk u pajtua deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Erman Rrahmani, i cili tha se tërheqja e 10 përqindëshit ka qenë praktikë jo e mirë.

“Tërheqja e 10 përqindëshit ka qenë praktikë jo e mirë dhe shpresojmë që të mos përsëritet. Shpërndarja e rimbursimi po bëhet i padrejtë, pasi këtu përfitojnë më shumë ata që kanë paga më të mëdha prej shtetit, kurse përfitojnë thuajse fare ata që janë të diskriminuar”, u shpreh Rrahmani.

Por pavarësisht se Rrahmani quajti praktikë jo të mirë, zyrtarë të VV-së e kishin shfrytëzuar të drejtën e tërheqjes nga Trusti.

Në mbledhjen e sotme, komisioni miratoi edhe marrëveshjen për kredinë 40 milionëshe me Bankën Evropiane për financimin e projektit "Reagimi i Kosovës ndaj Pandemisë COVID-19 për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”.

Qeveria e Kosovës në qershor sivjet vendosi për nisjen e përgatitjeve për rimbursimin e qytetarëve që kanë tërhequr nga 10 për qind prej Trustit. Shuma totale e përllogaritur për rimbursim qe mbi 100 milionë euro, për 372 mijë persona. Rimbursimi do të fillojë nga viti 2023.

Nga tërheqja prej Trustit do të rimbursehen të gjithë ata që në kohën e tërheqjes kanë pasur më pak se 10 mijë euro kontribute. Vendimi atë kohë s’ishte përkrahur nga VV-ja, që ishte opozitë.