Arbëri

Shtrenjtohen produktet, Qeveria do kohë për rritjen e pagës minimale

Përfaqësues të Sindikatës së Sektorit Privat kanë thënë se punëtorët janë mashtruar nga premtimet e Lëvizjes Vetëvendosje për rritje të pagës minimale sapo Albin Kurti të vijë në pozitën e kryeministrit. Mirëpo Qeveria thotë se vendimi për këtë çështje duhet të përgatitet mirë në mënyrë që të mos hasen vështirësi gjatë zbatimit të tij. Qytetarët e vlerësojnë urgjente rritjen e pagës minimale në kohën kur çmimet e produkteve vazhdojnë të rriten

Përballë shtrenjtimit të vazhdueshëm të produkteve, rritja e premtuar e pagës minimale në sektorin privat nuk pritet të ndodhë së shpejti.

Qeveria konsideron se kjo masë duhet të përgatitet mirë para se të aplikohet.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë gjatë prezantimit të buxhetit për vitin e ardhshëm se duhet të sigurohen që të mos dështojë zbatimi i vendimit në praktikë.

“Është çështje derisa të merret vendimi për ta rritur pagën minimale duhet të shqyrtojmë, sepse ka implikime buxhetore, pra duhet të sigurohemi që edhe sektori privat është i përgatitur për një vendim të tillë në mënyrë që të mos kemi pastaj telashe në zbatim”, ka deklaruar Murati.

Por Sindikata e Sektorit Privat thotë se punëtorët ndihen të mashtruar nga mosrealizimi i premtimit të Qeverisë për rritjen e pagës minimale.

Jusuf Azemi, i cili e udhëheq këtë sindikatë, ka vlerësuar se sektori privat është i gatshëm për një ndryshim të tillë.

“Po ua bëj me dije se të gjithë punëtorët që së paku në dy muajt e fundit janë tepër, tepër të zhgënjyer, pasi që punëtorët kanë pritur që pagat e tyre të mos jenë 170 euro, të mos jenë as 250 euro, por të jenë paga që i ka premtuar kryeministri. Ajo nuk po ndodh dhe është shumë normale që punëtori është shumë i ndjeshëm”, ka theksuar Azemi. Ai ka shtuar se ekzekutivi nuk është marrë fare me këtë kategori të punëtorëve.

“Është mashtrim dhe një rrenë e kulluar të cilën e kanë bërë. Ne e dimë që çdo Qeveri e Kosovës nuk mund të bëjë mrekulli, por, megjithatë, të jenë në këtë stad, në këtë gjendje që ky e ka lënë është tepër shqetësuese pasi që ka premtuar nënshkrim të marrëveshjes kolektive, rirregullim të Ligjit të punës, ka premtuar që do të kemi një fond për punëtorët të cilët lëndohen në vendin e tyre të punës dhe shumë premtime të tjera e që deri më tash nuk e ka realizuar asnjë”, ka thënë Azemi.

Ndërsa ekonomisti Safet Gërxhaliu vlerëson se paga minimale duhet të rritet, por, sipas tij, jo tërësisht në kurriz të sektorit privat.

“Besoj që duhet të ketë dialog të mirëfilltë, duhet që në periudhë afatmesme kohore Qeveria të mbështesë sektorin privat dhe në një sektor privat të fuqishëm atëherë mund të llogaritet edhe rritja e pagës minimale jo në këtë që është premtuar në 250 euro, por ndoshta edhe më tepër”, ka vlerësuar Gërxhaliu.

Kurse disa qytetarë kanë thënë se rritja e pagës minimale është nevojë urgjente. Sipas Besim Morinës, ajo është dashur të rritet shumë më herët.

“Paga minimale në Kosovë për momentin është dashur të jetë 300 euro minimumi, sepse kanë hypur të gjitha kostot e jetës. Prandaj, ku janë pensionistët që kanë mbetur me nga 100 euro, ku janë këta të punësuarit në sektorin privat”, ka pyetur ai.

Bujar Foniqi kërkon që paga të jetë mbi 500 euro. “Urgjente është, urgjente, duke pasur parasysh që çmimet janë rritur është me urgjencë”, ka thënë Foniqi. Aktualisht paga minimale për punëtorët nën moshën 35-vjeçare është 130 euro, kurse për ata mbi këtë moshë është 170 euro. Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje ka premtuar rritjen e kësaj page në 250 euro, por kërkesë e Sindikatës së Sektorit Privat është që ajo të jetë së paku 350 euro.