Arbëri

Shoqata e transportuesve arsyeton ngritjen e çmimit të biletave, qytetarët të shqetësuar

Çmimi i biletave të autobusëve ndërurbanë për disa qytete të Kosovës është rritur për 50 cent.

Një rritje e tillë po konsiderohet normale për kryetarin e Shoqatës së Transportuesve Rrugor.

“Autobusët rrugorë të udhëtarëve në destinacione të ndryshme lëndë primare për furnizim e kanë derivatin e naftës. Meqenëse kemi një rritje drastike të çmimit të naftës në krahasim me vitin e kaluar… si rezultat i të gjitha këtyre dukurive ka ndodhur kjo rritje, që për mua personalisht është krejtësisht e arsyeshme”, ka thënë Ruzhdi Kurtishaj, kryetar i Shoqatës së Transportuesve Rrugorë.

E para që ka filluar me rritjen e çmimeve është linja për Ferizaj. Në këtë linjë është vetëm një kompani e cila nuk e ka rritur çmimin.

Përveç linjës për Ferizaj, rritja shumë shpejt do të bëhet edhe për qytetet e tjera të vendit.

Por rritja e çmimit të biletave ka shqetësuar qytetarët.

“Nuk është mirë rritja e çmimit, njerëzit nuk kanë paga nuk kanë pare edhe kanë nevojë të enden e të shkojnë në puna, është shumë keq”, ka thënë Avdi Berisha.

“Sot veç u vërejt rritja e çmimeve. Kjo është katastrofë, në këto kushte kështu me u rritë çmimet, kjo është çmenduri. Kjo s’do të jetë e përballueshme hiç”, ka deklaruar Lulzim Sadikaj.

Rritje të çmimeve muajin e fundit në Kosovë ka pasur pothuajse në çdo sektor, por Ekzekutivi nuk ka ndërhyrë, por ka paralajmëruar një pako lehtësuese.