Arbëri

Autoriteti i Konkurrencës thotë se po i monitoron tregjet që mund t’i kenë rritur çmimet

Descriptive Text

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK), ka deklaruar se janë duke i monitoruar tregjet për të parë nëse kanë bërë ngritje të çmimeve, me ç’rast duke shkelur Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës. Sipas një njoftimit, AKK-ja shkruan se nuk kanë mandat ti’ rregullojnë çmimet e ndonjë produkti apo shërbimi dhe se mandat themelor i tij është mbrojtja e konkurrencës së lirë.

“Mandati themelor i AKK-së është mbrojtja e konkurrencës së lirë si parakusht për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe kjo nënkupton që AKK vepron kur cenohet, pengohet ose shtrembërohet konkurrenca në treg. Më konkretisht, Autoriteti i Konkurrencës mund të reagojë në ato raste kur ndërmarrjet veprojnë në mënyrë të koordinuar (pra, nëse një veprim i tillë është rezultat i marrëveshjes së tyre eksplicite, përmes formës se kartelit-marrëveshjes së ndaluar apo sjelljeve te tyre ne treg - praktikës së bashkërenduar). Gjithashtu, AKK mund të reagojë edhe ndaj ndërmarrjeve që kanë pozitë dominuese në treg dhe të cilët keqpërdorin këtë pozitë”, thuhet në një komunikatë drejtuar mediave.

Ky institucion thotë se në vazhdimësi ka avokuar përmes formave të ndryshme që të rris vetëdijen e operatorëve të tregut për Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.