Arbëri

Kurti: Kosova asnjëherë nuk ka shënuar rritje më të madhe ekonomike se këtë vit

Descriptive Text

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, kanë mbajtur konferencë për media, në lidhje me operacionalizimin e masës Subvencionimi i Kredive Investive dhe masës Mbështetje e eksportit, nga Pako e Ringjalljes Ekonomike, raporton Ekonomia Online.

Kurti tha se ekonomia ka pasur rritje si asnjëherë më parë, duke shtuar se ka pasur rritje të eksporteve, dhe shtim të aktivitetit.

Sipas tij, në takimet që ka pasur me prodhuesit, ata i janë ankuar se janë detyruar të angazhojnë ekspertë nga jashtë për punë të caktuara. Madje ai tha se ankesa ka marrë edhe për pabarazi në treg e gjetjen e tregjeve të reja, probleme këto për të cilat premtoi zgjidhje nga Qeveria.

“Prodhuesit janë detyruar të angazhojnë ekspertë nga jashtë, problem tjetër është pabarazia për shkak të buxhetit milionësh për marketing, problem tjetër është edhe gjetja e tregjeve të reja. Ekonomia si asnjëherë më parë nuk ka pasur rritje më të madhe ku eksportet janë rritur mbi 60%, aktiviteti mbi 30% e pastaj të hyrat buxhetore për 34%. Pandemia na dëshmoj se prodhimi ka rol kyç nga aspekti i krijimeve të qëndrueshme të punës, dhe prodhuesit na kanë dëshmuar që puna e tyre nuk ka munguar asnjëherë tek ta, por dora e ndihmës së shtetit ka munguar”, tha Kurti.

E ministri i Financave, Murati ka treguar se masat 2.1 për Subvencionim të Kredive Investive dhe ajo 2.4 për Mbështetje të Eksportit, janë pako që kanë për qëllim mbështetjen e prodhuesve vendor.

“Qëllimi i këtyre masave është krijimi i një lokomotive për të funksionuar ekonomia. Në kuadër të masës 2.1 do të subvencionohen 20% e kredive për të gjitha bizneset që duan të rriten do të përkrahen. Kjo do të bëhet nga data 1 tetori për të gjitha kredit që plotësojnë këto kritere. Pasi të bëjmë ngritjen e kapaciteteve prodhuese ne do t’i mbështesim prodhuesit tanë edhe në hallkat tjera, pra do të ketë grante deri në 20 mijë euro për trajnimet e nevojshme në mënyrë që të trajnohet stafi për cilësi. Masë tjetër në kuadër të masës 2.4 është mbështetja deri 50 mijë euro për produktin që të ketë një produkt sa më të pranueshëm. Për të aplikuar ka mundësi deri në qershor të vitit të ardhshëm”, tha Murati./EO


Prodhuesit ankohen për krizën energjetike, Kurti u premton mbështetje

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovë që ta trajtojë me seriozitet krizën energjetike në vend, raporton Ekonomia Online.

Ai në konferencën ku prezantuan lehtësirat për prodhuesit në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike shtoi se me këto masa po u japin një garanci.

“Kjo masë u jep garancion prodhuesve dhe shumë nga ta besoj që do ta mirëpresin. Mirëpo do të rekomandoja Qeverinë që të fillohet të rigjenerohet energjia elektrike vet, sepse do ketë të mira edhe për ambientin në Kosovë, dhe nuk do të ndikoj në konkurrueshmëri. Sepse nëse ka ngritje të energjisë elektrike atëherë do jetë e vështirë për bizneset”, ka thënë ai.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se pajtohet me kërkesën e Panxhës sa i përket krizës energjetike, duke premtuar mbështetje në këtë drejtim.

“Pajtohem me ju sepse e di se duhet të rishikohet kjo pjesë. E kam parasysh rolin e sektorit privat sepse me këtë mënjanohet barra sociale e shtetit, por edhe e shton buxhetin e shtetit. Pajtohem që të kemi sa më shumë prodhim”, ka thënë ai.

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë tha se këto masa janë mundësi e mirë për të ndikuar në pjesëmarrje më të madhe në kreditim.

“Besojmë që këto masa do të ndikojë në pjesëmarrje më të madhe të kreditimit. Këto masa që po propozohen sot janë një rrugë e mirë drejt ShBA-ve dhe tutje”, ka thënë Zeka.