Arbëri

Fushata zgjedhore për balotazh do të jetë vetëm pesë ditë

Valmir Elezi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se fushata zgjedhore për garën e balotazhit do të jetë vetëm pesë ditë.

Sipas Elezit, KQZ-ja në mbledhjen e djeshme ka marrë vendim që fushata të zhvillohet nga 8 nëntori deri më 12 nëntor. 

“KQZ-ja ka miratuar planin operacional për organizimin e raundit të dytë të zgjedhjeve. Fushata zgjedhore do të jetë pesë ditë, nga 8 nëntori deri më 12 nëntor. Për votuesit nga jashtë që janë regjistruar nga 10 korriku deri më 18 gusht, do të kenë 15 ditë në dispozicion që t’i dërgojnë fletëvotimet e tyre. Kjo do të fillojë nga 29 tetori dhe pakot duhet të dërgohen më së largu deri më 12 nëntor. KQZ-ja është në proces të ridizajnimit të fletëvotimeve të reja”, ka thënë Elezi.

Ai tutje ka bërë të ditur se komisionarët, vëzhguesit, OJQ-të e mediat duhet të bëjnë një listë me ata që do të angazhohen për garën e balotazhit. Kjo listë duhet të dërgohet nga 28 tetori dhe më së largu deri më 8 nëntor.

Më 14 nëntor në Kosovë do të mbahet procesi i votimit në komunat ku ka balotazh. 


Aprovohen 9.610 zarfe nga diaspora, refuzohen 1.324

Nga 10.934 vota të individualizuara nga diaspora, 9.610 prej tyre janë aprovuar, ndërsa 1.324 janë refuzuar pasi nuk janë në përputhje me kriteret ligjore, ka bërë të ditur Valmir Elezi nga KQZ-ja.

Ai tutje ka treguar se janë në fazën përfundimtare të verifikimit të votave të personave me aftësi të kufizuar dhe atyre me kusht.

“Shërbimi ka përfunduar vlerësimin dhe verifikimin me 5 mijë pako me vota që kanë ardhur nga 15 shtatori deri më 15 tetor. Brenda këtyre pakove, ka pasur 10.934 të individualizuara me votime, janë aprovuar 9.610 zarfe, 1.324 janë refuzuar pasi nuk janë në përputhje me kriteret ligjore. Gjatë fundjavës do të fillojë procesi i numërimit të këtyre votave. Votat e personave me aftësi të kufizuar dhe atyre me kusht, janë në fazën përfundimtare të verifikimit”, potencoi Elezi.