Arbëri

Raporti i KE-së jep shenja se BE-ja nuk do ta përkrahë vetingun në Kosovë

Descriptive Text

Si shqetësim serioz është paraqitur në raportin e vendit të Komisionit Evropian nisma e Qeverisë së Kosovës për veting të plotë e të njëhershëm. Por, institucionet në Kosovë kanë thënë se është shqetësuese mungesa e vetingut, e jo kryerja e këtij procesi. Për monitoruesit e sistemit të drejtësisë, Qeveria ka dështuar t’ua sqarojë institucioneve ndërkombëtare nevojën dhe domosdoshmërinë e këtij procesi

Një nga prioritetet kryesore të Qeverisë Kurti rrezikon të mos përkrahet nga Bashkimi Evropian.

Në Raportin për Progresin të Komisionit Evropian vetingu ose rivlerësimi i plotë dhe i njëhershëm në sistemin e drejtësisë është parë shqetësim serioz.

Ky institucion thotë se vetingu i plotë nuk duhet të jetë opsioni i parë por i fundit për vlerësimin e aktorëve të drejtësisë.

“Qeveria e Kosovës ka qenë duke i shqyrtuar disa opsione për një sistem vetingu në drejtësi dhe prokurori. Në këtë kontekst prezantimi i një rivlerësimi të plotë të njëhershëm të të gjithë prokurorëve zgjon shqetësime serioze. Një proces i tillë duhet të konsiderohet vetëm si masë e veçantë kur s’ka zgjidhje tjetër, kur të gjitha mjetet ekzistuese dhe mekanizmat për ta siguruar luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve gjyqësorë janë shterur, por edhe atëherë duhet të jetë në pajtim me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe këshillën e Komisionit të Venecias”, thuhet në Raportin e Progresit, apo raportin e vendit.

Një ditë pas publikimit të këtij raporti presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media ka thënë se nuk është shqetësim serioz përmbushja e vetingut, por mungesa e tij.

“Si presidente nuk pajtohem me këtë konstatim. Në fakt, mungesa e vetingut do të ishte shqetësim serioz e jo përmbushja e këtij procesi. Komisioni Evropian konsideron se vetingu do duhej të ishte masë e fundit dhe e jashtëzakonshme, pasi të jenë shterur të gjithë mekanizmat, edhe ky konstatim është i gabuar, sepse mekanizmat ekzistues janë këta për vite të tërë dhe kanë rezultuar joefektivë. Nëpërmjet këtyre mekanizmave nuk është rritur profesionalizmi, integriteti dhe besimi qytetar në institucione të drejtësisë. Për këto BE-ja ka bërë kritika për vite të tëra. Vetingu jo vetëm që është i rëndësishëm, por i domosdoshëm”, ka deklaruar Vjosa Osmani.

Osmani tha se procesi i vetingut duhet të përshpejtohet e assesi të ndalet.

“Për dallim nga konstatimi i raportit të BE-së, ky proces do të jetë i vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës. Për vite me radhë kanë konstatuar mangësi në sistemin e drejtësisë dhe mungesën e mekanizmave adekuat, si rrjedhojë është e qartë se vetëm me mekanizmat ekzistues nuk do të ketë mundësi të kemi reformat e dëshiruara”, ka thënë ajo.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, duke komentuar raportin e Komisionit Evropian, ka thënë deri tani Qeveria do të duhej t’i bindte partnerët ndërkombëtare për nevojën e këtij procesi.

“Zyra e Bashkimit Evropian në vazhdimësi ka pasur hezitime në lidhje me procesin e vetingut. Ne si IKD kemi shpresuar që partia në pushtet gjatë kësaj kohe do të jetë në gjendje ta arsyetojë një proces të tillë të vetingut, se pse është i rëndësishëm për sistemin gjyqësor e sistemin prokurorial, se partia në pushtet do të jetë në gjendje që të ketë konsultime dhe diskutim serioz me partitë në opozitë, por edhe partitë e tjera e grupet e interesit për këtë proces”, ka deklaruar ai.

Megjithëse mesazh i fortë nga Komisioni Evropian, kabineti i ministres së Drejtësisë nuk e sheh si pengesë për vazhdimin e këtij procesi.

Genc Nimoni, shefi i kabinetit të ministres Albulena Haxhiu, ka thënë se Komisioni Evropian e ka keqkuptuar procesin e vetingut, sepse ky proces është i njëhershëm, por do të jetë i vazhdueshëm.

“Nuk mundem me konstatua se si kanë ardhur te këto përfundime, në veçanti për pjesën për veting të njëhershëm, nuk e di a ka qenë keqkuptim nga ana e tyre apo është bërë me qëllim të caktuar, mirëpo ajo çka mundem me siguru ne është se do të vazhdojmë tutje. Ne jemi të palëkundur me qëndrimet tona dhe do të vazhdojmë që ta bëjmë këtë dhe do ta bëjmë”, është shprehur ai.

Në raport janë të përmendura shumë ngecje në fushën e drejtësisë. Sërish ka kritika për rezultatet e dobëta të korrupsionit të profilit të lartë.

“Në përgjithësi korrupsioni është i përhapur dhe mbetet një çështje shqetësuese dhe serioze. Pavarësisht përpjekjeve të bëra, ekziston nevoja për një vullnet të fortë dhe të vazhdueshëm politik për të adresuar në mënyrë efektive rreziqet sistematike të korrupsionit, si dhe një përgjigje të fuqishme të drejtësisë penale ndaj korrupsionit të nivelit të lartë.”, thuhet në raport.

E ngecje ka edhe në luftën kundër krimit të organizuar.

“Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar. Është bërë përparim i kufizuar gjatë periudhës raportuese në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar”, thuhet në këtë raport.

“Zyra e Prokurorisë Speciale u forcua me staf shtesë të specializuar dhe u zhvilluan aktivitete trajnimi të synuara. Megjithatë, mjetet e fuqishme të parashikuara nga Kodi Penal dhe Ligji për kompetencat e zgjeruara të konfiskimit ende nuk do të përdoren plotësisht nga policia dhe prokurorët. Nevojiten masa për të forcuar prokurorinë si dhe për të siguruar që nuk do të ketë ndërhyrje politike në aktivitetet operacionale të të gjitha organeve të zbatimit të ligjit”, thuhet më tutje në këtë raport.

Raporti i vendit sikurse edhe viteve të kaluara ka paraqitur një pamje gri të situatës, veçanërisht në fushat kryesore, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit. Progresi në këtë fushë është vendimtar për secilin vend për të bërë përparim në procesin e pranimit.