Arbëri

Fushata e injorimit të pandemisë

Gjatë fushatës për zgjedhjet e së dielës, pushteti shkeli masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19, të cilat i kishte vendosur vetë. Në përpjekje për ta shtrirë udhëheqjen në nivelin lokal, partia Vetëvendosje i harroi këto masa. Ato u shkelën për një muaj në mënyrë të vazhdueshme edhe nga partitë opozitare. Përderisa pati shkelje drastike të masave, numri i dozave të vaksinave të dhëna brenda ditës ka rënë dukshëm.

Për 30 ditë, pushtet e opozitë u bënë liderë të shkeljes së masave për parandalimin e përhapjes se COVID-19.

Ndonëse janë në fuqi masat, si distanca, maskat, numri i kufizuar i njerëzve brenda hapësirave, e obligimi i paraqitjes së certifikatave të vaksinimit për ambiente të mbyllura, ato u shkelën vazhdimisht.

Vetëvendosja në fillim të shtatorit këmbëngulte që zgjedhjet të shtyheshin, për shkak të rrezikut nga varianti Delta.

“Nuk do të votohet njëherë, por do të kemi edhe balotazh. Duke pasur parasysh të gjitha këto elemente do të jetë më mençur të respektohet vlerësimi i profesionistëve të IKSHPK-së”, pati deklaruar kryeministri Albin Kurti më 13 shtator.

Por, zgjedhjet nuk u shtynë e Vetëvendosja shkeli masat e vendosura nga ministri i tyre i dorëhequr, Arben Vitia. Vetë kryeministri Albin Kurti mori pjesë në shkeljen e tyre.

E kandidati i kësaj partie për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, mburrej për “tubimet masive” në kohë pandemie.

Partitë opozitare ishin kundër shtyrjes se zgjedhjeve, por premtonin se do të respektoheshin masat anti-COVID.

Një premtim të tillë e dha partia ma e madhe opozitare, PDK-ja. Por kandidati i saj për kryetar të Skenderajt, Fadil Nura, është një nga shembujt më ekstrem se si masat nuk u respektuan.

Edhe kundërkandidati i Nurës, kandidati i pavarur, Bekim Jashari, shkeli në mënyrë drastike masat.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, para fillimit të fushatës zgjedhore propozoi që ajo të shkurtohej në 10 ditë. Por, për 30 ditë, partia e tij bëri shkelje drastike të masave.

E kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, që i dukej e gjatë koha e propozuar prej Abdixhikut prej 10 ditësh fushatë, propozoi që ajo të shkurtohej në 5 ditë.

Por, për 30 ditë sa u mbajt fushata, kjo parti vazhdimisht shkeli masat.

Edhe NISMA, partia e Fatmir Limajt që nuk e kaloi pragun në zgjedhjet qendrore, por që ka shpresë të mos e humbë komunën e vetme me të cilën udhëheq, Malishevën, u bë shkelëse e masave anti-COVID.

Ditëve të fundit ka pasur rënie të rasteve pozitive me COVID-19, por nga profesionistët nëntori e dhjetori janë paralajmëruar si periudhë kur mund të ketë valë të re infektimesh.

Përderisa për një muaj nuk është respektuar pothuajse asnjë masë në të tilla tubime, numri i vaksinave të administruara brenda ditës në Kosovë ka rënë prej mbi 20 mijë në vetëm 6 mijë vaksina brenda 24-orëshit.