Arbëri

Nagavci fton studentët që ndjekin doktoratën të aplikojnë për grante

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci përmes një postimi në Twitter u ka bërë thirrje studentëve kosovarë që ndjekin studimet e doktoratës në 500 universitetet më të mira në botë, që të aplikojnë për përfitimin e grantit në vlerë vjetore prej 7,500 eurosh.

Aplikimi për përfitim të grantit mund të bëhet nga sot deri më 22.10.2021, nga dita e shpalljes në ueb faqen e MASHTI-t.

Konkursi është publik dhe vlen për studentët shtetasë të Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh promovimin e barazisë gjinore, etnike, fetare dhe racore.

MASHTI do të përkrahë studentët që nuk marrin bursë apo ndihmë financiare nga institucionet vendore apo ndërkombëtare, apo që në marrëveshje me institucionin ku punojnë (universitetin apo institutin) kanë marrëveshje për mungesë me pagesë për kohën e kryerjes së studimeve të doktoratës.

Po ashtu, merren parasysh studentët që kanë përfituar ndonjë bursë apo lloj tjetër të financimit që mund të jetë i pjesshëm (që nuk i plotëson nevojat financiare për studime njëvjeçare sipas standardeve të vendeve ku është selia e universitetit), ndërsa studentët me bursa të plota nuk përkrahen.