Arbëri

Szunyog konfirmon mbështetjen e BE-së për procesin integrues të Kosovës

“Unë riafirmova mbështetjen e pakontestueshme për perspektivën evropiane për Kosovën, e cila bazohet në respektimin e demokracisë, të drejtave themelore, vlerave dhe sundimit të ligjit”, ka deklaruar Tomas Szunyog, pas takimit me anëtarët e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme

Dy ditë pas takimit në kuadër të samitit të mbajtur në Slloveni, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka takuar anëtarët e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme. Szunyog tha se ka riafirmuar mbështetjen për procesin integrues.

“Unë riafirmova mbështetjen e pakontestueshme për perspektivën evropiane për Kosovën, e cila bazohet në respektimin e demokracisë, të drejtave themelore, vlerave dhe sundimit të ligjit”, ka shkruar Tomas Szunyog në llogarinë e tij në “Twitter”.

Pas takimit, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi, tha se procesi integrues dhe ai i liberalizimit të vizave është i ndarë njëri nga tjetri.

“Kjo është punë që na mbetet neve si institucione, MPJ-së, Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe ambasadave tona në vendet që kanë pranuar Kosovën. Nga BE-ja që të bëjnë punën e tyre me instruksionet e qarta për ta tejkaluar pengesën që kemi për disa vende... dhe gjithsesi për ta ndërtuar konsensusin e plotë për liberalizimin e vizave”, ka thënë Abazi.

Sipas Abazit, me Szunyogun kanë diskutuar edhe për Samitin e Brdos, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë e obligimet e institucioneve për procesin integrues.

Ai tha se kanë biseduar edhe për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me targat, e mësimeve që mund të nxjerrën nga ajo në kuadër të procesit dialogues.