Arbëri

Magjistralja e premtimeve në fushatë

Në kohën kur është intensifikuar fushata e kandidatëve për kryetarë komunash, zv.ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka dalë me bashkëpartiakun e vet, Shpejtim Bulliqi, kandidat për Podujevën, për të bërë premtime mbi projektin rrugor të nisur para pesë vjetësh. Ata kanë folur për ndryshimet në projektin e zgjerimit të magjistrales Prishtinë – Podujevë. Kanë thënë se kjo nuk është fushatë, edhe pse banorët e kanë parë ndryshe, e disa prej tyre edhe janë shprehur skeptikë që punët mund të kryhen deri në nëntor

Në prag të përfundimit të fushatës e në komunën ku udhëheq bashkëpartiaku i tij ka zgjedhur të prezantojë ndryshimet në projektin infrastrukturor zëvendësministri Hysen Durmishi.

Në Podujevë, i shoqëruar nga Shpejtim Bulliqi, i cili garon edhe një mandat për ta qeverisur këtë komunë, zëvendësministri i Infrastrukturës ka thënë se ndryshimet në projektin që po realizohet në magjistralen Podujevë-Prishtinë kanë qenë të nevojshme.

Por Durmishi ka mohuar se një gjë të tillë është duke e bërë për të bërë fushatë për Bulliqin.

“Nuk po shfrytëzohet kjo për kohë fushate, por raporti i komisionit ka përfunduar javën e kaluar dhe është e rëndësishme të prezantohet përfundimi i projektit që në bazë të dinamikës dinamikës që janë zhvillu punimet të mos përfundojnë edhe dy vite”, ka deklaruar Durmishi.

“Nuk është problematika që është takimi i parë ose është aranzhuar që lidhet me fushatën, por jemi duke punuar e koordinuar punët që bashkërisht të zgjidhim sa më shpejtë çështjen e kësaj rruge”, ka shtuar Bulliqi.

Durmishi e Bulliqi thanë se në vendet ku ishte paraparë ndërtimi i nënkalimeve për automjete do të zëvendësohen me rrethrrotullime e kjo, sipas tyre, do të ndikojë që përfundimi i rrugës të bëhet deri në fund të nëntorit.

Por më pas banorët e fshatrave thanë se zv.ministri nuk ua prezantoi asnjë projekt, duke kritikuar se takimi i sotëm u bë për fushatë.

“Po të ishte ashtu do të vinin që dy tre muaj. Po dihet saktësisht çka është. Edhe pse është fushatë, bile me premtu diçka. Më interesant do të ishte të flasin për popull, ndoshta sqarohet, por neve fakt i gjallë që kurrfarë informimi s’na dhanë”, ka thënë banori Safet Berisha.

“Disa projekte janë bë më herët, po thonë një nënkalim, një mbikalim, jo një rrethhrrotullim. Tash s’po dimë kah...”, ka deklaruar një tjetër qytetar.

Punimet në zgjerimin e magjistrales Prishtinë - Podujevë kanë filluar që nga viti 2016, por që disa herë projekti është ndryshuar.