Arbëri

Ndalohet tregtia e shpezëve pas shfaqjes së gripit Avian-Influenza

Descriptive Text

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka marrë vendim që të ndalojë tregtinë e shpezëve dhe lëvizjen e tyre nga fermat, pas shfaqjes së gripit të shpezëve Avian-Influenza, për herë të parë në Sekiraqë të Podujevës një javë më parë. 

AUV-i ka marrë edhe vendime të tjera në lidhje me mbrojtjen e shpezëve nga ky grip, ndërsa ka bërë të ditur se do të zbatohen në të gjithë territorin e Kosovës.

“I. Masat e përgjithshme:

a) Ndalimin e lëvizjes së shpezëve nga fermat dhe tregtimi i tyre në tregjet e kafshëve – shitblerja e shpezëve;

b) Dezinfektimi i objekteve dhe zonave përreth ku ka shpërthim të sëmundjes;

c) Përcaktimi i zonave të mbrojtura (3 km) dhe gjurmueshmëria e sëmundjes (10 km);

d) Njoftimi i rasteve të dyshimta për sëmundjen Gripi i Shpezëve;

e) Vizita e fermave të dyshuara nga ambulancat veterinare në koordinim me inspektorët veterinar, marrja e mostrave dhe dërgimi në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë

f) Përcaktimi i lokacioneve dhe groposja e shpezëve të ngordhura.

II. Përjashtimisht nga pika I e këtij vendimi, lejohet lëvizja shpezëve nga fermat e lira nga kjo sëmundje në thertore të licencuara vetëm me pëlqimin e inspektorit veterinar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

III. Urdhërohen të gjithë menaxheret e tregjeve që nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi të pezullojnë punën në pranimin e shpezëve në hapësirat e tyre.

IV. Obligohen të gjitha Komunat, Policia e Kosovës, në koordinim dhe bashkëpunim me AUV-në të bëjnë mbikëqyrjen e zbatimit të masave”, thuhet në njoftim.

Vendimi ka hyrë në fuqi nga dita e sotme, 7 tetor.