Arbëri

Kosova dhe Sllovenia arrijnë marrëveshje bashkëpunimi për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Sllovenisë kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla së bashku me zëvendëskryeministrin dhe njëherësh ministrin e Mbrojtjes të Sllovenisë, Matej Toni, nënshkruan marrëveshjen.

“Marrëveshja rregullon kushtet kornizë për bashkëpunim në parandalimin e fatkeqësive dhe gatishmërinë për ofrimin vullnetar të ndihmës reciproke në rast fatkeqësish në territorin e palës tjetër, dhe forma të tjera të bashkëpunimit të ndërsjellë. Bashkëpunimi midis palëve do të ndjekë parimet e reciprocitetit dhe do të kryhet brenda kapaciteteve të palëve”, njoftoi Ministria.

Me marrëveshjen e nënshkruar, bashkëpunimi mes dy vendeve do të zhvillohet në fusha të ndryshme. MPB njoftoi tutje se, përveç mbrojtjes nga fatkeqësitë dhe ndihmës për shpëtimin dhe lehtësimin e fatkeqësive, marrëveshja gjithashtu parashikon bashkëpunim në shkëmbimin e njohurive shkencore dhe teknike dhe transferimin e ekspertizës për mbrojtjen nga katastrofat, edukimin dhe trajnimin e personelit të përfshirë në aktivitetet e mbrojtjes dhe shpëtimit, zhvillimin dhe prodhimin e pajisjeve mbrojtëse dhe të shpëtimit.

Të dy vendet gjithashtu do të bashkëpunojnë edhe në informimin e njëri - tjetrit në lidhje me rreziqet e aksidenteve dhe pasojat e tyre.