Arbëri

Varhelyi akuzohet se po e favorizon kandidaturën e Serbisë në dëm të sundimit të ligjit

Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi akuzohet se po mbështet kandidaturën e Serbisë për anëtarësim në BE, duke minimizuar shqetësimet për sundimin e ligjit dhe demokracinë atje, raporton “Politico.eu”.

Samiti BE-Ballkan Perëndimor do të mbahet nesër në Slloveni.

“Varhelyi po pritet të japë vlerësim të barabartë për gjithë anëtarët e mundshëm, por ai po e shtynë veçanërisht kandidaturën e një vendi: Serbisë. Kjo përkundër faktit se Beogradi nuk ka arritur të bëjë përparim në çështjet kryesore dhe madje ka regres në disa sipas vëzhguesëve të demokracisë”, shkruan Politico.

Qasja e Varhelyit në lidhje me Ballkanin Perëndimor e po ashtu me Turqinë është në kontrast me shumë shtete të BE-së. Madje është në kontrast edhe me atë që e udhëzoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në letrën e angazhimit.

“Respekti ndaj të drejtave të njeriut dhe sundimi i ligjit duhet të jenë baza për bashkëpunimin tonë ndërkombëtar”, thuhet në letër.

Mirëpo, qëndrimi i Varhelyit është në përputhje me atë të një shteti të BE-së, të Hungarisë, prej nga është vet komisioneri për zgjerim.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, vazhdimisht ka hedhur poshtë pikëpamjet e institucioneve të BE-së mbi sundimin e ligjit e demokracinë, e mbi të gjitha kur bëhet fjalë për kritikat ndaj sundimit të tij. Ai ka mbrojtur aspiratat e Serbisë për të hyrë në BE. Serbia udhëhiqet nga aleati i Orbanit, Aleksandar Vuçiq. Të dy akuzohen për prirje autoritare.

“Nëse përpjekjet e Varhelyit do të bëjnë ndonjë dallim në perspektivat e Serbisë apo të ndonjë shteti tjetër mbetet e hapur. Shtetet anëtare marrin vendime të mëdha në zgjerim dhe siç treguan mospajtimet për të rënë dakord edhe për një deklaratë të butë për Samitin e të mërkurës me liderët e Ballkanit Perëndimor në Slloveni, shihet se ka pak entuziazëm mes tyre për zgjerimin e klubit në një afat më të afërt”, shkruan Politico.

Sipas Politicos, qëndrimi i Varhelyit rrezikon të dëmtojë pozitën e Komisionit në mesin e qeverive të BE-së dhe po ashtu kredibilitetin e BE-së në Ballkanin Perëndimor, një rajon që është me rëndësi strategjike për bllokun, ku Rusia, Kina, Turqia e shtetet e Gjirit të gjitha po përpiqen të rrisin ndikimin.

Varhelyi në përgjigje me shkrim për Politicon ka mbrojtur qasjen e tij, duke thënë se ka mbikëqyrë një rishikim të metodologjisë së Komisionit për vlerësimin e vendeve kandidate, e duke u përqendruar më tepër te sundimi i ligjit.

Por zyrtarë tjerë brenda Komisionit, diplomatë të BE-së dhe eurodeputetë nuk pajtohen me këto.

“Varhelyi po e minon kredibilitetin e Komisionit në sytë e partnerëve dhe shteteve anëtare”, ka thënë një zyrtar i Komisionit për Politicion, që ka kërkuar të mbetet anonim nga frika e pasojave profesionale që mund të ketë.

Një diplomat i BE-së ka thënë se Varhelyi ka mbajtur fjalim para ambasadorëve dhe ministrave të BE-së që ishte krejt në kundërshtim me pikëpamjen e shteteve anëtare.

“Ai ndjek agjendën e padronëve të tij në Budapest, i afrohet liderëve autoritarë dhe kryesisht injoron çështjet e lidhura me sundimin e ligjit”, ka thënë një diplomat tjetër në BE për Politicion.

Eurodeputeti austriak Andreas Schieder kishte thënë se Komisioni, veçanërisht komisioneri Varhelyi, nuk po japin një shtysë të fortë në çështjen e sundimit të ligjit.

E eurodeputetja holandeze Tineke Stirk ka thënë se nuk është e impresionuar me qasjen e Varhelyi.

“Me të vërtetë më mungon sundimin i ligjit. Unë nuk e shoh atë duke folur hapur për Serbinë, si shembull, ku nuk ka fare progres”, tha Stirk.

Varhelyi i ka bërë të qartë stafit të tij se dëshiron të nxisë fushatën e Beogradit për anëtarësim në BE.

“Komisioneri Varhelyi e ka bërë prioritet përshpejtimin e negociatave të zgjerimit me Serbinë”, ka thënë Maciej Popowski, shef i Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit për Negociatat për Fqinjësi dhe Zgjerim, në një email dërguar stafit. “Ndërsa kjo varet para së gjithash, nga reformat në Serbi. Duhet të jemi të gatshëm të ecim para sapo Serbia të demonstrojë përparimin e nevojshëm”.

Por ekipi i Varhelyit nuk mbështet vetëm që Beogradi ta rrisë lojën. Kabineti i tij – një rreth i brendshëm i ndihmësve të zgjedhur – është përpjekur të fshijë ose pakësojë gjuhën në tekstet zyrtare për dështimet e Serbisë në demokraci, sipas dokumenteve zyrtare dhe të brendshme.

Këto angazhime janë në kontrast me vlerësime të shumta të OJQ-ve në Serbi sa i përket gjendjes së sundimit të ligjit në këtë shtet, e po ashtu vlerësimeve nga analistët e pavarur.

Freedom House e vlerësoi Serbinë si pjesërisht të lirë në indeksin e saj për Lirinë në Botë për vitin 2021, duke shkruar se Partia Progresive Serbe (SNS) “ka gërryer në mënyrë të qëndrueshme të drejtat politike dhe liritë civile, duke ushtruar presion mbi mediat e pavarura, opozitën në politikë dhe organizatat e shoqërisë civile”.

Edhe pse Serbia ka qenë në negociata të pranimit në BE që nga viti 2014, është përkrah shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor të cilat ende nuk kanë nisur bisedimet për anëtarësim, është në nivel me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Në Indeksin e Demokracisë së fundi, një sondazh vjetor i kryer nga Economist Intelligence Unit, Serbia ka marrë pikët më të ulëta të saj në histori të këtij indeksi, që kur nisi në vitin 2006.

“Mirëpo, sipas dy zyrtarëve të Komisionit, kabineti i Varhelyit përmirësoi vlerësimin e Serbisë për të dhënë një pamje më pozitive sa i përket çështjes së sundimit të ligjit në draft raportin për zgjerim të këtij viti, i cili rishikon progresin e shteteve kandidate dhe aktualisht po përgatitet”, thuhet nga Politico.

I pyetur për ndryshimet në vlerësimin ndaj Serbisë, Varhelyi ka thënë në një email “se vlerësimi i progresit të vendeve në rrugën e reformave të BE-së është subjekt i një procesi të gjatë, ku vendimi final merret nga Kolegji i Komisionerëve si trup kolegjial”.

Ai tha se është proces politik, dhe se prioritetet e BE-së në Ballkanin Perëndimor janë pasqyruar plotësisht në raport.

“Por nuk është hera e vetme që kabineti i Varhelyit ka kërkuar të anulohet opinioni i ekspertëve për Serbinë. Në qershor të këtij viti, departamenti i Varhelyit po ashtu kundërshtoi një përshkrim të vlerësimit të vet Komisionit për sundimin e ligjit në Serbi si të “zymtë” nga Gjykata Evropiane e Auditorëve, një mbikëqyrës i BE-së, sipas një dokumenti dërguar gjykatë.

Varhelyi vet u ankua në një letër përcjellëse për “Një seri të citimesh të studiuesve të caktuar” në raportin e auditorëve dhe i ka kërkuar gjykatës të rishqyrtojë përdorimin e tyre”, thuhet nga Politico.

Por ndërsa Varhelyi nuk ishte i prirë që ekspertët akademikë të citoheshin në një raport, ai ishte i lumtur të ofrojë një pikëpamja e të tij optimiste për gjendjen në Serbi.

“Është shumë e qartë se procesi i reformimit të Serbisë ka marrë një shtysë të re”, tha Varhelyi në deklarimin për gazetën hungareze Magyar Nemzet muajin e kaluar.

Në procesin e pranimit në BE, shtetet kandidate punojnë me Komisionin për të përmbushur standardet në kapituj të ndryshëm të politikave, që grupohen si tregu i brendshëm, agjenda e gjelbër dhe reformat themelore.

Stafi i Komisionit thotë se ka pasur një shtytje për të lëvizur shumë shpejt në Serbi.

“Kishte shumë presion për të hapur grupe të reja të bisedimeve për Serbinë”, ka thënë një zyrtar i Komisionit.

I pyetur në lidhje me kritikat se ka shtyrë kandidaturën e Serbisë pavarësisht se nuk ka përparim të mjaftueshëm, Varhelyi tha: “Unë po e shtyjë përpara agjendën e zgjerimit për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë”.