Arbëri

Reka jep gjashtë parimet për zgjerimin e BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor

Descriptive Text

Ish-ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka, ka renditur gjashtë pika përmes së cilat ka thënë se mund dhe duhet të bëhet ringjallja e zgjerimit të Bashkimit Evropian, një ditë para mbajtjes së Samitit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, në Slloveni.

Reka ka thënë se s’pret që ky samit të jetë i zgjerimit, megjithatë ka shtuar se vazhdimi i status-quosë së zgjerimit po shqetëson edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që po kërkojnë integrimin e plotë të rajonit.

“Pas 20 vitesh, është koha për një ringjallje të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Procesi duhet dinamizuar mbi bazën e gjashtë parimeve: interesi gjeostrategjik, reformimi demokratik, zgjerimi post-konfliktual, gjithëpërfshirja me anëtarësimin në pako dhe moszëvendësimi i anëtarësimit të plotë, me alternativa të tjera”, ka thënë ai në një shkrim në Facebook.

Si pikë të parë, Reka ka thënë se vonesa e mëtejme e anëtarësimit të rajonit në BE do të krijonte vakum gjeopolitik që mund të mbushet nga Rusia e Kina.

“Me kërcënimin e kufijve jug-lindor të BE-së, një Ballkan i tillë “lindor”, do të sfidonte sigurinë e Evropës perëndimore. Largimi i kërcënimit të tillë, nuk arrihet me një Ballkan të lënë jashtë BE-së”, ka thënë ai.

Forcimi i sundimit të ligjit dhe gjyqësor i pavarur, janë rrugët që duhet të ndjekin vendet e Ballkanit, sipas Rekës. Ai ka thënë se me këtë do të parandalohej hyrja e kapitalit influencues të regjimeve autoritare lindore.

Në pikën e tretë, Reka ka thënë se dinamizimi i zgjerimit është jetik për paqen në rajon dhe parandalimin e keqpërdorimit të konflikteve të ngrira.

“Fundja, vet BE-ja ishte një projekt paqe për ish shtetet ndër-luftuese. Pse ky rrëfim suksesi të mos përsëritej edhe për mbylljen e armiqësive ballkanike?”

Sikur në periudhën kur u bë zgjerimi i madh me pranimin e 12 shteteve evrolindore e evromesdhetare, Reka ka propozuar pranimin edhe të gjashtë shteteve ballkanike.

“Me këtë do të parandaloheshin bllokadat bilaterale të shtetit të parë që anëtarësohet, kundër shtetit a shteteve të tjera në pritje. Në të kundërtën, anëtari i parë ballkanik, përmes vetos, do i hakmerrej ‘fqinjit armiqësor historik’. Virusi ballkanik do të infektonte BE-në dhe në vend të evropianizimit të Ballkanit, do të ndodhte ballkanizimi i Evropës”, ka deklaruar ish-ministri Reka.

Sipas tij, zgjerimi i BE-së mund të funksionojë vetëm nëse i përfshin të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Brukseli duhet të vazhdojë me politikën inkluzive të të gjitha gjashtë shteteve të rajonit, duke mos lejuar që interesat unilaterale të shteteve të saj anëtare, ta zhbëjnë karakterin multilateral të kësaj organizate. Veto, mbetet e drejta e shteteve anëtare në Këshillin Evropian, por nuk i ndihmon vendimarrjes tek zgjerimi i BE-së.”

Anëtarësimin e këtyre shteteve Reka ka thënë se s’mund ta zëvendësojë “Open Ballkani” apo “Zona e Lirë Tregtare” apo “statusi vëzhgues”.

“Ato, nuk shpijnë në anëtarësim të plotë të tyre në BE, por vetëm zgjasin mbetjen e rajonit në periferinë e Evropës, me iluzionin se një ditë do të bëhen anëtare të BE-së”, ka përfunduar ai.